Edhe MPJD reagon për çështjen e zyrtarëve rus: Personi i ekspozuar në media nuk është asnjëri prej tyre

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar lidhur me lajmin e publikuar në media se njëri nga dy zyrtarët rusë të shpallur non-grata në Kosovë është parë në Prishtinë.

Sipas MPJD-së, asnjëri prej tyre nuk është nga zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, të cilët u shpallën persona non-grata ditë më parë, shkruan lajmi.net.

Ky është reagimi i plotë:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton opinionin publik se lajmi që po qarkullon në disa media online lidhur me zyrtarin rus të shpallur person non-grata që kinse është parë në Prishtinë, është i pavërtetë.

Personi që është ekspozuar në media nuk është asnjëri nga zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, të cilët u shpallën persona non-grata ditë më parë nga MPJD-ja.

MPJD, është në favor të informimit të drejt dhe të saktë dhe është e përkushtuar për të shmangur keqinformimin e audiencës.