Nga Presidenca tregojnë a është rusi “non-grata” në Kosovë

Lidhur me raportimet se është parë në Prishtinë rusi i shpallur “Non-grata” nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Presidenca e Kosovës, ka reaguar kjo e fundit.

Shefi i stafit të presidentes, Vjosa Osmanit, Blerim Vela e ka quajtur “dezinformatë” lajmin se personi i njohur si Denis Vengerskii po qëndron në Kosovë, duke treguar se personi në foto është shoferi zyrës ndërlidhëse ruse në Kosovë dhe jo Denis Vengerskii.

“Dezinformatë: personi në foto është vozitësi i Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Kosovë dhe jo Denis Vengerskii. Zyrtaret e Zyrës Ndërlidhëse Ruse e kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës brenda 24 orëve nga shpallja persona non grata, ka shkruar Vela në twitter.

Edhe Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me pretendimet se “Rusi i shpallur non-grata nga Kosova shfaqet në mes të Prishtinës”.

Nga Policia kanë sqaruar se këto raportime janë të pavërteta dhe se Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës.

“Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimet dhe publikimet e bëra në disa media televizive dhe të shkruara në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat shfaqin tituj dhe video ekskluzive: ‘Rusi i shpallur non-grata nga Kosova shfaqet mes Prishtinës’. Këto informacione janë të pavërteta dhe Policia sqaron se: Dy personat Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii shtetas rus, janë shpallur non-grata nga institucionet shtetërore të Kosovës me datë 22.10.2021, dhe bazuar në informacionet zyrtare të Policisë së Kosovës të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në sqarimin e policisë.

Policia ka theksuar se nga 23 tetori të dy të lartcekurit nuk kanë hyr në Kosovë. ndërsa personi i cili është shfaqur në fotografi të publikuara nga mediet thonë se është V.L person i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovës, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë.

“Vlen të potencohet se të njëjtit, nga data 23.10.2021, nuk kanë hyrë në Republikën e Kosovës, ndërsa personi i cili është publikuar dhe shfaqur në media përmes fotografive dhe videos, është person tjetër (V.L.) i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend”, potencohet në sqarimin e policisë.