Dogana e Kosovës parandalon kontrabandën me telefona të mençur në pikën kufitare në Vërmicë

Në pikëkalimin kufitare të Vërmicës, oficerët doganor kanë parandaluar futjen e telefonave mobil.

Në këtë pikë kalimi kufitar është paraqitur një kombi-bus me targa kosovare i linjës Prishtinë-Ulqin-Prishtinë, ku personi përgjegjës është deklaruar se nuk ka asgjë për të deklaruar, por më pas i njëjti automjet është selektuar për kontroll në vijën e dytë.

Gjatë kontrollës nën karrikën e parë është hasur në mallra të padeklaruara:

– Telefona të mençur Samsung Galaxy A32 në sasi prej 10 copë në paketim së bashku me adaptera (mbushëse)

Të gjitha mallrat janë konfiskuar si dhe rasti ka vazhduar për kundërvajtje doganore.

“Dogana e Kosovës synon që në bashkëpunim me qytetarët të mbrojë interesin e shtetit, duke u pamundësuar kriminelëve që të përfitojnë nga taksat e qytetarëve. Andaj, mirëpresim bashkëpunimin me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mënyra më e sigurte është që të na kontaktoni përmes telefonit 0800 500 95, Facebook Dogana e Kosovës ose e-mail: info@dogana-ks.org. Me bashkëpunim efikas secili bëhet pjesë e luftës ndaj krimit.”, thuhet në njoftimin për medie.
Tutje u tha se duke mbrojtur të hyrat, krijojmë më shumë mundësi të zhvillimit të vendit.