Rusia të mërkurën regjistroi rekord të ri të të vdekurve nga Covid-19 për një ditë me 1.123 raste fatale.
Pas viktimave të reja, numri zyrtar i të vdekurve nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë shkoi në 233.898, ndonëse dyshohet se shifra e vërtetë është më e madhe.
Sipas analizës së pavarur të gazetës “Moscow Times”, numri i përgjithshëm i të vdekurve gjatë pandemisë është afër 660.000, shkruan The Guardian.
Përpos të vdekurve, Rusia në 24 orët e fundit raportoi për 36.582 raste të reja infeksionesh. Moska do të vendosë masa të reja kufizuese nga nesër, ndërsa vendet e punës në mbarë Rusinë do të mbyllen për një javë në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit.
Qeveria ruse e ka miratuar pushimin njëjavor me pagesë për të gjithë punëtorët që nuk janë pjesë e sektorëve esencialë. Java e pushimit do të jetë në fillim të nëntorit.
Vetëm rreth një e treta e rusëve të rritur e kanë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës. Autoritetet kanë bërë thirrje për vaksinim më masiv dhe Rusia ka katër vaksina vendëse për Covid-19.