Përballja Osmani – Daka: Nga shkarkimi deri te “beteja” e mundshme në Kushtetuese

Më 14 qershor të këtij viti, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu mori vendim për shkarkimin e ish-Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daken. Shkarkimi i Dakës nga Osmani bëri shumë bujë, ndërsa shoqëria civile dhe akterë të sferës publike e cilësuan si politik shkarkimin e saj.

Ndërsa sot, ish-Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do t’i drejtohet Avokatit të Popullit lidhur me vendimin për shkarkimin e saj në mënyrë që ta dërgojë në Kushtetuese shqyrtimin e këtij vendimi.

Por, si ndodhi gjithçka deri më sot?

Në arsyetimin e vendimit për shkarkimin e Dakës, Osmani kishte thënë se KQZ duhet të jetë organ i pavarur dhe kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij kur brenda mund të ketë presione politike, shkruan lajmi.net.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit. Kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike. Në procesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione si kurrë më parë”, thotë vendimi.

Tutje theksohet se Daka nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur e polarizimeve politike dhe duke pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme më 14 shkurt 2021, e ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.

“Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike kështu duke u pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueseve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar në përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet në arsyetim.

Aso kohe, Daka në një konferencë për media të nesërmen e ditës së shkarkimit u zotua se do t’i ndiqte të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin e Osmanit, të cilin e konsideronte të motivuar politikisht.

“Ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin gjatë fushatës zgjedhore për shkarkimin tim. Ky vendim është jo kushtetues dhe jo ligjor. Arsyetimet janë qesharake dhe shihet qartë se është vendim i porositur”, tha ajo.

Daka shpalosi detaje edhe për takimin me presidenten Osmani, para shkarkimit të saj.

“Në këtë takim ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqje dhe në këmbim të marrë falënderime publike. Por një gjë të tillë nuk e kam pranuar”, shtoi ajo.

Aso kohe, disa organizata joqeveritare në Kosovë kundërshtuan vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës duke e cilësuar si të motivuar politikisht.

“Ky vendim konsiderojmë se është i motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit”, thuhej në reagimin e organizatave Demokracia në Zhvillim, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, ai për Studime Politike, Lëvizja Fol, Organizata Nëna Tereze, Çohu, Syri Vizionit, Demokracia Plus, INDEP dhe INPO.

Këto organizata, argumentet e Presidentes i konsideruan të pabazuara dhe që paraqisnin keqinterpretim të situarave përkatëse.

“Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote”, thuhej në reagim, në të cilin rikujtohej se puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve.

Gjithashtu, Partia Demokratike e Kosovës ishte shprehur e gatshme për mbledhjen e nënshkrimeve në mënyrë që ta çojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Dakës por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur pasi nuk kishte përkrahje nga partitë e tjera opozitare.

Për një kohë, këtë çështje e kaploi heshtja. Por, ishte raporti i Vëzhguesve i Bashkimit Europian për zgjedhjet lokale të 17 tetorit që e riktheu sërish në fokus shkarkimin e ish-kryetares së KQZ-së.

Në këtë raport, thuhej se vendimi për shkarkimin e Dakës, vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve lokale nuk ishte i mbështetur në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit e as nga bazat në ligjin e LZP-së.

“Vendimi i Presidentes së Kosovës për të shkarkuar ish kryesuesen e KQZ-së së Valdete Daka, është marrë më 14 qershor katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve lokale nuk mund të mbështetej në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit as nga bazat e shënuara të Ligjit për Zgjedhje te Përgjithshme”, thuhej në raportin e vëzhguesve të Bashkimit Evropian, transmeton lajmi.net.

Menjëherë pas kësaj, lajmi.net kontaktoi me Dakën duke e pyetur së cilat do të ishin veprimet e saj pas këtij raporti dhe nëse do të ndiqte rrugët ligjore për të apeluar vendimin për shkarkimin e saj, ndërsa në përgjigje ajo ishte e prerë, duke thënë “Po”.

E këtyre raportimeve, Osmani iu përgjigj me një konferencë për media. Ajo nuk u kursye as ndaj Dakës e as ndaj BE-së. Fillimisht, presidentja Osmani tha se Vëzhguesit e BE-së kanë tejkaluar kompetencat e tyre.  Ajo tutje tha gjithashtu se është vet autoritet emërues dhe shkarkues dhe kështu ligjshmërinë e vendimeve të saj i interpretojnë gjykatat kompetente.

“Më lejoni të jem e qartë që interpretimi i ligjshmërisë së vendimeve të presidentes është kompetencë e gjykatave kompetente dhe jo misioneve që të jepin deklarata të tilla. Legjislacioni parasheh që presidentja është autoritet kompetent për të emëruar kryesuesen e KQZ-së si dhe për ndërprerjen e mandatit të saj. Pra presidentja është autoriteti emërues dhe shkarkues dhe që bën vlerësimin e integritetit. Ky vendim ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe ushtrim i qartë i kompetencave. Rezultati po shihet tashmë që është pozitiv me një udhëheqje apolitike”, tha Osmani në atë konferencë për media.

E tani, çështja ka marrë kahjen ligjore. Mbrëmë në një paraqitje në Klan Kosova, Daka ka thënë se do t’i drejtohet sot Avokatit të Popullit për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese duke thënë se nuk po e kërcënon Osmanin, por se dëshiron të dijë nëse presidenti/ja mund të shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur.

“Sa i përket asaj se në ndonjë mënyrë kërcënova presidenten, përkundrazi nuk jam duke e kërcënuar por jam duke ushtruar të drejtën time ligjore e cila më takon edhe mua si të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë gjatë ditës së nesërme do ta dërgoj një kërkesë te Avokati i Popullit, sepse Kushtetuta nuk ma lejon mundësinë që unë drejtpërdrejt t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë po këtë mund ta bëjë Avokati i Popullit në emrin tim.

Meqë deputetët dështuan t’i mbledhin nënshkrimet dhe ta dërgojnë këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë të drejtpërdrejtë çka mendoj se është për të ardhur keq, sepse nuk është në pyetje rasti i Valdete Dakës por është në pyetje një institucion i pavarur dhe është në pyetje që një herë e përgjithmonë të zgjidhet dilema nëse ka të drejtë presidenti/ja që në mënyrë arbitrare të shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur”, tha ajo mbrëmë.

Se cili do të jetë epilogu i këtij vendimi të presidentes mbetet të shihet pasi ajo të merret në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.