Ish-këshilltari i ish-presidentit Thaçi, Adil Behramaj ka reaguar për arsyetimin e kryeministrit Kurti për rritjen e çmimit të produkteve bazike në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Behramaj ka thënë se qeveria i ka të gjitha mjetet shtetërore për të mos lejuar spekulatënt të bëhen profiterë të krizave.
“Është absurde që tani të rritet çmimi i bukës, kur ende nuk janë bërë as tre muaj të plotë nga korrja e grurit në tërë Kosovën. Vendi në asnjë periudhë tjetër të vitit nuk ka më shumë grurë dhe miell se tash. Edhe vitin e kaluar ishte kriza e pandemisë, por çmimi i bukës ishte i njëjtë. Prodhimtaria është e përafërt me vitet e kaluara kur çmimi i bukës me vite të tëra ishte i ekuilibruar”, ka shkruar Behramaj.
Madje Behramaj i është drejtuar Kurtit me fjalët se është “e rëndë për popullin ta durojë inflacionin e propagandës”.
Postimi i plotë:
Me inflacion fjalësh, Albin Kurti i paska sulmuar kritikuesit për inflacionin e çmimeve. Paska radhitur vetëm faktorë, disa prej të cilëve tepër të diskutueshëm, pa treguar se çfarë po bën për zvogëlimin e ndikimit të tyre. Qeveria e Kosovës i ka krejt instrumentet shtetërore për të mos i lejuar spekulantët e ndryshëm që të bëhen profiterë të krizave.
Le t’i ndalon!
Është absurde që tani të rritet çmimi i bukës, kur ende nuk janë bërë as tre muaj të plotë nga korrja e grurit në tërë Kosovën. Vendi në asnjë periudhë tjetër të vitit nuk ka më shumë grurë dhe miell se tash. Edhe vitin e kaluar ishte kriza e pandemisë, por çmimi i bukës ishte i njëjtë. Prodhimtaria është e përafërt me vitet e kaluara kur çmimi i bukës me vite të tëra ishte i ekuilibruar.
Albin Kurti e ka Rozeta Hajdarin, Ministre të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. E ka edhe Autoritetin e Konkurrencës. I ka krejt mekanizmat për parandalimin e spekulantëve dhe mbrojtjen e tregut. Ka inspektorë, ka politikë tregtare…
Hajde, punoni!
Është barrë e rëndë për popullin ta durojë edhe inflacionin e propagandës suaj. Me inflacion fjalësh nuk menaxhohet inflacioni i çmimeve!.