Pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se kjo është vizita e parë në këtë vend, ku njoftoi për takimet me autoritete të departamentit të mbrojtjes e sigurisë kombëtare.
“Meqë vet vij edhe nga diaspora, në agjendën time jam takuar edhe me shoqata dhe veprimtarë të shquar. Departamenti i mbrojtjes ka konfirmua përkrahjen për Kosovën. Mbështetje për operacione humanitare, rikonfirmim të përkrahjes deri në orientimin veri-atlantik. Nga ana ime në të gjitha takimet falënderova për mbështetjen e vazhdueshme. Ju konfirmova se si shteti më pro-amerikan, se do të mbështesim në të gjitha format siç kërkohet”, ka thënë ai.
Mehaj ka shtuar se në këto takime janë dakorduar për avancime të mëtejme të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Sot zyrtarisht shpallim konkursin e 840 ushtarëve të rinj. Ky është konkursi për pranimin më të madh të ushtarëve. Njoftoj të rinjtë dhe të rejat që dëshirojnë të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të bashkohen. FSK ju garanton proces fer dhe transparent”, ka shtuar ai.
Mehaj në konferencë për media ka thënë se në takimet e zhvilluara është diskutuar edhe çështja e veriut.
“Kemi diskutuar për veriun, çështja e veriut i përket krejt shtetit. Ne kemi një marrëveshje që duhet të mirëmbajmë”, ka thënë ai sa i përket aksionit në veri, ku theksoi se kjo i takon Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sa i përket bazës ushtarake të Amerikës në Kosovë, ai tha se “Kjo ofertë është nga ana jonë. Dhe ata do të shqyrtojnë. Ne jemi në koordinim e sipër këtu”, ka shtuar ai.
Tutje ai tha se “Edhe dronët janë pjesë e FMS, në këtë aspekt janë në proces e sipër se kur do të vijnë ju njoftojmë”.