Rasti Gucati e Haradinaj: Trupi gjykues do të marrë vendim për provat materiale të paraqitura nga dëshmitarja

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet seanca e radhës e gjykimit ndaj ish-krerëve të OVL-së së UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Edhe në seancën e sotme, për të kartën ditë me radhë, ka vazhduar dëshmia e Koordinatores së Hetimit në ZPS Zenka Pumper e cila sot i është përgjigjur pyetjeve të akovatit të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees.

Kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith, ka lëshuar urdhër me gojë ku ka njoftuar se trupi gjykues do të marrë vendim për provat materiale të paraqitura nga dëshmitarja në fund të dëshmisë së saj.

“Sa i takon paraqitjes së provave siç jeni në dijeni trupi gjykues ka shtyrë marrjen e vendimit për një sërë provash materiale të paraqitura nga Zenka Pumper deri në përfundim të dëshmisë së saj. Kur të vijë momenti i atij diskutimi nga prokuroria pritet të lexohet një përmbledhje koncize të deklaratave të dëshmitares për proces verbalin, në seancë të hapur”.

Kryetari i trupit gjykues deklaroi se pritet nga prokuroria që të informojë se çfarë klasifikimi propozon për secilën provë materiale.

Nëse provat propozohen që të jenë konfidenciale, Smith njoftoi se ZPS-ja duhet të bëjë të ditur nëse mund të vendosë në dispozicion një version publik të redaktuar.

Lidhur me klasifikimin e provave do të merret edhe qëndrimi i mbrojtjes.