Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka vlerësuar të paqëndrushme analizën dhe reagimin e presidentes Vjosa Osmani për raportin e progresit i cili ka konstatuar se mazhoranca aktuale Kurti-Osmani po bën shkelje serioze me procesin e vettingut.
Tahiri ka shkruar në faqen e tij në Facebook se presidentja e vendit, e ngarkuar me barrë personale për shkeljet e saj që i janë evidentuar në raportin e progresit, nga rendi dje në konferencë për shtyp për t’i bërë një analizë të paqëndrueshme gjendjes në sistemin e drejtësisë, duke përbuzur punën e dhjetëra e qindra profesionistëve të këtij sistemi, që në baza ditore përpiqen për ta mbajtur atë në këmbë.
“Konstatimi se të gjithë mekanizmat e tjerë institucional janë të dështuar, për çfarë vetingu është domosdoshmëri, është jo vetëm konstatim i pasaktë por edhe i turpshëm dhe dëm i madh në pasqyrimin e realitetit të vendit në krye të së cilit, ajo e mbanë pozitën e Presidentes”, tha Tahiri.
“Pak muaj u deshën për ta parë qartë, dështimin e mazhorancës së Vjosës dhe Albinit që të sjellin ide konkrete e të qëndrueshme për vetingun, gjë që dëshmon paaftësinë e tyre për ta realizuar një proces të tillë”, tha ai.
Sipas Tahirit, Bashkimi Evropian, siç edhe partnerët tjerë strategjik që kanë ndihmuar Kosovën në këtë sektor, asnjëherë nuk kanë konstatuar se vetingu nuk duhet të ndodhë.
“Por, para se një i tillë të vie në shprehje, e për çfarë qeveria aktuale nuk ka as ide, as dije dhe as formulë, duhet fillimisht të vihen në jetë të gjitha instancat tjera pararendëse, që sigurojnë integritet e llogaridhënie”, tha ai.
“Tendenca për ta imponuar një proces të vetingut mbi bazën e paragjykimit e ngarkesave ideologjike, paralelisht me dështimin për të ofruar një model të qëndrueshëm të bazuar në ligj e kushtetutë, jo vetëm që është shpërfillje e punës dhe përpjekjeve të sistemit, por edhe një masë ideale pas së cilës, është lehtë të fshihet dështimi i qeverisë në baza ditore, për t’i kontribuar konsolidimit të këtij sistemi”, ka shkruar Tahiri.