Gastronomët sot takohen me ministrinë e Shëndetësisë, paralajmërojnë protesta nëse nuk lirohen masat

Për më shumë se një muaj në Kosovë po vazhdojnë të jenë në fuqi masat e miratuara nga Qeveria e Kosovës.

E përkundër faktit që numri i viktimave dhe i rasteve pozitive nga COVID-19 ka rënë dukshëm javët e fundit, nuk është ndërmarrë asnjë veprim drejt masave antiCOVID.

Gjatë ditës së djeshme, ministria e Shëndetësisë për lajmi.net ka konfirmuar se masat antiCOVID do të rishqyrtohen gjatë javës së ardhshme.

Maskat obligative, ora policore nga ora 22:00 deri në 5:00 të mëngjesit, orari i shkurtër i gastronomisë deri në orën 21:30, si dhe hyrja brenda lokaleve vetëm me vërtetimin e kartelës së vaksinimit ose testit PCR janë masat që po vazhdojnë të na përcjellin që shumë kohë.

Se sa e kanë dëmtuar këto masa gastronominë dhe çfarë do të ndërmerret nëse nuk do të ketë heqje të orës policore dhe zgjatje të orarit, lajmi.net ka kontaktuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica.

Sipas Vranicës, nuk mund të dihet saktë se sa është dëmi në këtë pozitë, por që sipas tij vështirësitë në likuidimin e shpenzimeve, siç janë qiraja dhe pagat e punëtorëve janë të dukshme.

“Nuk kemi pika të hulumtimit të cilat specifikojnë, dmth tregojnë saktë se sa është dëmi në këtë rast, mirëpo është raportuar se një lloj vështirësie është paraqitur në likuidimin e shpenzimeve, siq janë qiratë dhe pagat e punëtorëve”, thuhet në prononcimin e Vranicës.

Për Vranicën në këtë periudhë, nuk është i përshtatshëm, orari i shkurtër i gastronomisë, pasi sipas tij është shënuar një numër më i ulët i klientëve, gjithashtu Vranica ka sqaruar se është kërkuar zgjatja e orarit për shkak se sipas tij është e vështirë të bëhet identifikimi i personave që futen brenda lokaleve.

“Kërkesa në këtë periudhë ka një qasje më të vogël të klientëve dmth, orari nuk është i pershtatshëm në ballafaqimin e gastronomisë në raport me obligimet e tyre , rrjedhimisht kemi kerku që për shkak të ngarkesës së madhe do të thotë me identifikimin e personave që futen brenda lokaleve, dalja deri në orën 21:30, do të thotë është kërku rritja e orarit në mënyrë që të jetë një stimul lidhur me parimin e kërkesave”, tha tutje Vranica.

Vranica kërkon që orari të jetë në bazë të rregullores së komunave, siç kanë qenë para pandemisë, gjithashtu për të është absurde të vazhdohen këto masa, kur sipas tij partitë politikë e kanë shfrytëzuar këtë kohë për fushata të cilët nuk ishin në në pajtueshmëri me vendimet e Qeverisë, gjë e cila gjithnjë sipas tij edhe për ta nuk është jashtë normales.

“Orarin praktikisht kërkojmë që të jetë në bazë të rregullorës komunale ashtu siq ka qenë para pandemisë si dhe është shumë konfuze dhe hiprokite, të mbahet kur në rrethana të njëjta partitë politike e shfrytëzojnë për fushata të cilat janë plotësisht në papajtueshmeri me vendimet e qeverisë andaj përderisa ata se shohin të arsyeshme ne edhe ma pak e shohim, që të ketë kufizime të tilla. Me sakrifica që po ballafaqohemi dhe përgjegjësinË qe kemi ne, më shumë se sa partitë politike në raport me punëtorët tanë, në këtë mënyrë duhet që të ketë lehtësim të masave dhe rritje te kapaciteteve të punës brenda lokaleve”, ka shtuar ai.

Sekretari i Shoqatës së Gastonomëve, sqaroi ndër të tjera se gjatë ditës së sotme, do të mbahet një takim me ministrinë e Shëndetësisë, ku ndër të tjera ai sqaroi se do të diskutohet për gjetjen e një mesatare se si do të veprohet në ditët në vijim.

“Sot e kemi një takim me ministrinë e Shëndetësisë edhe do ta shohim pas këtij presioni të jashtëzakoshëm medial dhe nga publiku , do të thotë do të kemi një kërkesë nga ana e ministrisë së Shëndetësisë për me gjetë një mesatare do të thotë se si do të veprojmë në ditët në vijim”, ka thënë ai.

Gjithashtu ai ka përmendur edhe mundësitë juridike, ku sipas tij mund të ketë protestë, nëse nuk do të ketë lirim të masave.

“Shpresë e jonja është që do të ketë lirim të masave , por nëse nuk do të ketë natyrisht që nuk do të rrimë duar kryq, do të mblidhet Kuvendi i shoqatës dhe do të shqyrtojmë mundeësitë juridike, me i shfrytzu mjetet tjera siç janë protestat, por të shohim deri atëherë do të kemi me të qartë deri sa të ndodh takimi që do të na shtyjë deri në hapat e ardhshëm”, ka përfunduar ai.

Gjatë ditës së djeshme, ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për lajmi.net kanë thënë se pas përmirësimit të situatës epidemiologjike pritet që javën tjetër të shqyrtohen masat anti-Covid.

“Pas përmirësimit të situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 dhe analizës së rregullt të kësaj situate, pritet që javën tjetër të bëhet rishqyrtimi i masave anti-COVID-19”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi që do të dalë sot nga takimi që do të mbahet mes ministrinë e Shëndetësisë dhe Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës.