Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar mbajtjen e zgjedhjeve në vend në një takim me një delegacion të Misionit Vëzhgues të zgjedhjeve të BE-së.
Osmani vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale duke nënvizuar se sipas informatava që vijnë nga institucionet e vendit, gara në komunat e banuara me serbë ishte e ndikuar nga imponimet e strukturave ilegale të Serbisë, të cilat sipas saj kanë cenuar garën në mes subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve.
“Duke i falënderuar për prezencën e tyre dhe gatishmërinë për t’i qëndruar Kosovës pranë në çdo hap të konsolidimit të demokracisë në vend, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për përgjigjen pozitive të pranuar nga Parlamenti Evropian dhe vlerësoi lartë prezencën e këtij delegacioni në vëzhgim të zgjedhjeve”, thuhet në komunikatën e presidencës.
Sa i përket zgjedhjeve lokale, delegacioni e vlerësoi procesin e zgjedhjeve si një proces demokratik, i karakterizuar me një profesionalizëm dhe integritet të lartë të institucioneve por edhe të vet qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim, Osmani priti eurodeputetin Lukas Mandle dhe eurodeputeten Viola von Vramon, delegacion ky që përbëhej edhe nga Roza Thun Und Hohenstein, Michele Rivasi, Thijs Reuten si dhe një ekspertësh të BE-së.