Numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe të zgjedhjeve për kuvende komunale ka përfunduar të dielën e 17 tetorit.
Kështu ka thënë në një konferencë për medie zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se rezultatet preliminare të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet e subjekteve politike për Kuvende Komunale janë shfaqur në aplikacionin e KQZ-së.
Po sipas tij, ka edhe raste kur nuk janë procesuar të dhënat nga disa vendvotime dhe të cilat do të përditësohen.
Elezi nuk ka saktësuar se sa ditë i duhen KQZ-së për të shpallur dhe certifikuar rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.Por, ai ka rikujtuar se në vitin 2017 ky institucion kishte arritur brenda më pak se dy javë që të shpall dhe certifikoi rezultatet përfundimtare. Ai kujtoi se KQZ-ja po punon që të arrijë afatet ligjore sepse pas katër javësh duhet ta organizojë raundin e dytë të zgjedhjeve.
“Ne nuk mund të japim një datë të saktë se sa ditë i duhen KQZ-së, fillimisht, për të shpallur rezultatet përfundimtare për Kryetarë të Komunave dhe pastaj, për certifikimin e tyre. KQZ-ja do të punojë maksimalisht që ne të arrijmë afatet ligjore, në mënyrë që të përgatitemi për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, që sipas ligjit duhet të mbahet katër javë pas raundit të dytë. Në të kaluarën, në zgjedhjet e vitit 2017, KQZ-së i janë nevojitur 9 ditë për të shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe 3 ditë të tjera për të certifikuar rezultatin e tyre”, tha Elezi.
Elezi ka treguar se deri te shpallja dhe certifikimi i rezultateve arrihet pasi të përfundojnë të gjitha procedurat, përfshirë edhe numërimin e votave me kusht, votave me postë dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
“Ligji për Zgjedhjet Lokale parasheh që nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, atëherë KQZ-ja është e detyruar të organizojë raundin e dytë mes dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota. Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune mbahet ditën e diele, katër javë pas raundit të parë”.
“Prandaj, është e rëndësishme që KQZ-ja të përqendrohet në përfundimin e procedurave lidhur me Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave në mënyrë që të shpallim dhe certifikojmë rezultatet përfundimtare, për ta ditur saktë se cilat janë komunat në të cilat duhet të mbahet raundi i dytë dhe që sipas ligjit kjo duhet të bëhet katër javë pas raundit të pare”, shpjegoi Elezi.