“Akademiku” i Vetëvendosjes mbetet larg, Bedri Hamza fiton mbi 53% të votave në Mitrovicën e Jugut

Ka përfunduar numërimi i votave për zgjedhjet lokale të mbajtura dje në Komunën e Mitrovicë së Jugut.

Në bazë të rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor rezulton se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka fituar mandatin 4 vjeçar për të drejtuar komunën.

Hamza arriti të mbledhë 53.86% të votave nga qytetarët e Mitrovicës.

Të njëjtit lanë prapa kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri i cili deri tani drejtoi këtë komunë.

Bahtiri mblodhi vetëm 34.40% të votave nga qytetarët mitrovicas.

Ndërsa kandidati i LDK-së në këtë komunë, Armend Agolli arriti të sigurojë 11.74% të votave.

Ndryshe ditë më parë, Kryekuvendari Glauk Konjufca e ka cilësuar Agim Bahtirin si akademik, meqë thotë se ky i fundit i di shumë mirë interesat e popullit të Kosovës.

Këto deklarime i bëri gjatë një tubimi zgjedhor në Mitrovicë.

“Në aspektin e politikës edhe në aspektin qysh i din Agim Bahtiri interesat e këtij populli, për të tjerë kundërkandidatë mujmë me thanë që është akademik”, deklaroi Glauk Konjufca.

E në Mitrovicë, sipas Konjufcës, nëse s’je kombëtar nuk i duhesh askujt.

“Në Mitrovicë nëse nuk je kombëtar, në vijën e popullit dhe kombit tënd, nuk i vyen kërkujt hiç çka duash me ditë në botë. E në aspektin kombëtar dhe qysh i dinë interesat e popullit, Agim Bahtiri për kundër-kandidatët është akademik”, tha ai.