Rreth 90% e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, janë vaksinuar me vaksinën anti-Covid, ka konfirmuar kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi.
Kamberi ka sqaruar se vetëm vitin e kaluar kanë qenë të infektuar mbi 1. 500 policë, derisa deri më tani 24 e kanë humbur betejën me Covid-19.
“Në vitin e kaluar ne kemi pasur mbi 1 500 pjesëtarë të Policisë që kanë qenë të infektuar me Covid-19 dhe ndër ta kemi 24 humbje të betejës, deri më sot rreth 90% e pjesëtarëve të policisë janë të vaksinuar, dhe një pjesë e vogël akoma nuk e kanë marr dozën e dytë për shkaqe shëndetësore”.
Ajo ka kërkuar nga organet qeveritare që sa më shpejtë ta zgjidhin problemi e sigurimit shëndetësorë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe që Ligji për Paga të hyjë në fuqi.
“Këtë vit kemi pasur më pak infektime, mirëpo të gjitha kanë qenë tejkaluese dhe nuk kemi informata që dikush është në gjendje të rëndë shëndetësore në përjashtim të dy-tri rasteve në gjithë Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka sigurim shëndetësorë dhe as sigurim jetësor dhe as aksidental me të cilin do ta lehtësonte sado pak shëndetin e pjesëtarëve të Policisë kudo që janë ata”.
Kamberi ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës, që të respektojnë pjesëtarët e Policisë derisa shton se është një punë me e lodhshme, derisa shtoi se Ligji për Paga ka qenë shpresa e vetme për ta.
“…sa i përket respektimit të drejtave të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gjithmonë kemi qenë na të cilët kemi reaguar dhe kemi kërkuar, që Policia e Kosovës të ketë kushte sa më të mira sa i përket rrezikut, edhe shëndetit dhe asaj ekonomike ku ka të bëj edhe paga. Kemi punuar me përkushtim që ta kemi një ligj të pagave të dinjitetshëm dhe ju e dini se para dy viteve Avokati i Popullit mori vendim dhe në një far mënyre qeveria e Kosovës nuk e ka aprovuar Ligjin për Paga, që ka qenë një ndër shpresat që ne të kemi një pagë të dinjitetshme”, tha ajo për EO.
“Policia e Kosovës respekton çdo vendim që vjen nga qeveria e Kosovës, ne kemi hasur në shumë probleme ndaj qytetarëve sepse edhe ata kanë qenë të papërgjegjshëm sa i përket respektimit të rregullave dhe masave që kanë dal nga qeveria e Kosovës, kemi pas konflikte të ndryshme, mirëpo kërkoj respektim për pjesëtarët e Policisë sepse është punë e lodhshme”.
Ajo ka kërkuar nga Qeveria që t’i kompensojnë policët deri në fund të vitit që kanë punuar me orar shtesë.
“Edhe viti i kaluar ka qenë me orar të plotë 12 orësh dhe ata kanë qenë të diskriminuar edhe marrjes së pushimit vjetor, edhe sa i përket shtesave që ju takojnë sipas ligjit”.“…me punën që e kanë bërë gjatë gjithë viti për 12 orë nuk janë kompensuar as për punën jashtë orarit, dhe qeveria ka për obligim që të gjithë pjesëtarët e policisë që kanë bërë orë shtesë të ju kompensojë mjetet financiare deri në fund të vitit”.