Çmime ç’orientuese në Kosovë

Në këto ditë të tetorit, vrulli i ngritjes së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm është bërë galopant. Nuk ka ditë që konsumatorin kosovar të mos e pret befasia e pakëndshme e ngritjes së rrufeshme të çmimeve, me të hyrë qoftë në shitore të vogla, në markete apo në megamarketet tona.

Ecuria e ngritjes së çmimeve, sidomos të atyre ushqimore, gjatë shtatorit ishte e vrullshme. Ndërkohë, në këto ditë të tetorit, hapi i ngritjes së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm është bërë galopant. Nuk ka ditë që konsumatorin kosovar të mos e pret befasia e pakëndshme e ngritjes së rrufeshme të çmimeve, me të hyrë qoftë në shitore të vogla, në markete apo në megamarketet tona.

“Ç’është kjo punë. Ç’bëhet kështu. Dje këtë qumësht (shishen dy litërshe të qumshtit të pa pasterizuar, ose si e quajnë  më shumë qoftë konsumatorët, qoftë tregtarët, qumështi i shtëpisë), e pagova me çmimin 1 euro, e sot më kërkoi 1,20 euro”, ankohet një grua e moshuar para arkës së një marketi prishtinas, pa pasur mundësi të marrë një përgjigje nga arkatari i marketit.

Dhe, nuk është vetëm ky rast i ngritjes së shpejtë dhe pa asnjë paralajmërim paraprak i çmimeve në Kosovë. Janë shtrenjtuar gjatë shtatorit e fillim tetorit, të gjitha produktet e tjera nga qumështi (bylmetrat) dhe atë 20, 30 e deri në 50 për qind.

Me këtë rast po i nënvizojmë edhe ca çmime të ngritura së fundi: Çmimi i djathrave është ngritur ndjeshëm gjatë shtatorit dhe fillim tetorit. Prodhuesit kosovarë të djathrave, thuaja pa përjashtim kanë ngarendur sikur duke garuar se kush do jetë i pari edhe në ngritjen e çmimeve edhe në aplikimin sa më të shpejtë.

Djathi i prodhuesit Drena, i paketuar në kuti plastike në peshë 800 gramë në fund të gushtit ka kushtuar nga 3,49 euro deri në 3,69 euro, varësisht nga marketi, ndërsa tani këto ditë kushton 4,49 deri në 4,79 euro.

Po kështu, kosi i prodhuar në Kosovë, i paketuar në gota plastike prej 400 e sa gramësh nga 1 euro sa shitej, tani tre këso paketimesh me kos e kanë çmimin 1,5 euro.

Buka, në shumë furra në kryeqytet tregtohet tani me çmime të reja. Te të gjitha llojet e bukës janë ngritur çmimet me nga 10 e 15 centë. Edhe mielli po tregtohet gjithandej në Kosovë me çmime të rritura, dhe kjo ngitje merret si pretekst e ngritjes së çmimeve të bukës nga shumë tregtarë, edhe pse ata ende i kanë stoqet e miellit të siguruara me çmime të vjetra.

Edhe menyja nëpër restorantet kryeqytetase është e mbushur me çmime përgjysmë të më të larta. Ndërsa, vaji ushqimor, për rrethanat kosovare ka mbërritur te çmimet stratosferike.

Ndërkohë, të gjithë artikujt që u cekën më lartë kanë pasur rritje të çmimit. Sipas ASK-së, në gusht 2021, çmimi i bukës dhe drithërave u rrit me 1.9%, i djathit dhe i vezëve me 7.4%, e rritje shumë më të madhe patën vajrat dhe yndyrat ushqimore me 28.5%, krahasuar me çmimet që kishin në gusht të vitit 2020.

Për të parë  nivelin e rritjes enorme të çmimeve nëpër shitoret, marketet dhe supermarketet në Kosovë mjafton për ta parë një statistikë të bërë publike në shumë medie kosovare para rreth 20-30 ditësh.

Sipas këtyre statistikave, nëse në vitin 2019 një konsumator do të blinte 1 kilogram miell gruri, 1 litër vaj, 1 kilogram djath si dhe 30 copë vezë, me një mesatare të çmimeve të atëbotëshme, do t’i nevojiteshin 8 euro e 66 centë. Një vit më pas, në 2020, të njëjtëve për po të njëjtat produkte do t’iu duheshin 8 euro e 94 centë, pra 0.28 centë më shumë. Ndërsa tani në tetor të 2021-shit, pas ngritjes së vrullshme të çmimeve të produkteve ushqimore pak a shumë do të nevojitesh përafërsisht përgjysmë më shumë para. Sepse tani një kilogram miell kushton nga 55 deri në 70 e më shumë centë, një litër vaj luledielli 1,55 deri në 1,70 centë, ose një litër vaj misri goxha i konsumuar në Kosovë tani kushton 2, 70 centë, një kilogram djath tregtohet tani me çmimin minimal mbi 5 euro, ndërsa 30 vezë tani kushtojnë nga 2,80-3,50 centë.

Llogaria del e qartë. Tani, pra për këto produkte që me 2020 është dashur të kesh 8, 94 centë, duhet të kesh së paku diku rreth 13 euro.

Si rrjedhojë e çmimeve të ngritura ka pasuar edhe rritja e inflacionit mujor dhe vjetor në Kosovë, edhe pse vendi ynë ka në përdorim euron si valutë zyrtare, pra valutë të fortë dhe të fuqishme që do të duhej t’i bënte ballë goxha fuqishëm lëvizjeve inflatore.

Të dhënat e muajit gusht 2021, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë se ka pasur rritje të inflacionit mujor dhe vjetor. Inflacioni mujor ishte më i lartë në një mesatare prej 1.2% në gusht 2021, krahasuar me korrikun 2021. Por, norma vjetore e inflacionit e matur në gusht të 2021, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ishte më e lartë në një mesatare prej 4.7%.

Në muajin gusht 2021, inflacion vjetor shënuan edhe vendet e rajonit, ku Shqipëria pati ngritje të çmimeve me 2.4%, Mali i Zi me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 3.6%, derisa Serbia shënoi inflacionin më të lartë në rajon për këtë periudhë me 4.3%, mirëpo niveli i infacionit te ne ishte më i larti.

Ndërsa, dihet se inflacioni në të shumtën e rasteve  përcaktohet si pasojë e një rritjeje të vazhdueshme e nivelit të përgjithshëm të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, megjithatë, pritjet e ekonomistëve janë që inflacioni në 2021 të zbutet.

Duhet thënë se kosovarët, e sidomos kosovarin e rëndomtë, atë të varfërin i cili mezi ia del ta sigurojë bukën e gojës, dhe të tillë janë shumica e kosovarëve, po e presin ditë edhe më të ngrysura, kohë edhe më shqetësuese sa i përket ecurive dhe zhvillimeve në sferën e çmimeve, e që drejtpërsëdrejti reflektohet në mirëqenien e tyre dhe jetën sociale të shumicës absolute të banorëve të Kosovës.

Paralajmërimet e frikshme për një krizë të rëndë energjetike, për mungesë të energjisë (gazit natyror dhe rrymës) dhe si rrjedhojë e kërcimit të lartë të çmive të energjisë elektrike, nëse do bëhen reale, që ka shumë gjasa ngaqë tashmë kjo krizë është evidente në shumë shtete të botës, do të jetë vështirësi plus për kosovarët ‘fukarenjë’. Dhe, duhet të jemi koshientë.

Ne, Kosova pra, nuk jemi aq të fuqishëm për t’i bërë ballë lëkundjes aq agresive të çmimeve të energjisë elektrike. Do të ketë domosdo çmime të reja më të larta të rrymës edhe në Kosovë. Duhet thënë troq. Këtë e tha edhe ministrja e Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli.

Ajo duke folur në një intervistë për një medie kosovare ka shtuar se qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve.

“Çmimet e energjisë elektrike për një megavat orë prej 60 euro sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë kanë arritur në mbi 100 euro dhe çmimet për sot kanë arritur në mbi 200 euro, pra po flasim për shtrenjtim të çmimeve katërfish në Evropë, e cila vjen si pasojë e rritjes së kërkesës dhe pjesërisht si pasojë e uljes së ofertës së gazit natyror nga ana e Rusisë”, tha ajo.

Ajo thekson se Kosova nuk është e izoluar nga ndikimi i çmimeve dhe se sipas saj, kjo krizë në një masë pritet të ketë ndikim edhe në vendin tonë.

Prandaj, kosovarët duhet të dijnë, të jenë të informuar, pra se nuk janë të paprekshëm nga kriza globale energjetike.

Dhe, nëse ndodhë ajo çka po flitet, mos t’i zë në befasi. Por, për të qenë më të informuar rreth krizës energjetike poteciale dhe çmimeve të reja eventuale duhet të informohen më detajisht nga Qeveria, e pse jo edhe nga kryeministri.

Pse jo, siç bëri e veproi Edi Rama, kur ua tha troç shqiptarëve: “Kemi përballë një krizë të jashtëzakonshme energjetike, dhe Shqipëria nuk do të mbesë e paprekur”.

Ai tha se shumë shpejt do të përballen me çmime marramendëse.

“Kjo, është kriza e jashtëzakonshme energjetike, e cila vetëm sapo ka nisur, të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia.

Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje”, ia tha Rama shqiptarëve pa ekuivoke.

Këtë duhet ta sqaronte dikush nga zyrtarët kompetentë edhe në Kosovë, sado që në Kosovë, tani për tani, kriza energjetike nuk po shpërfaqet drejtpërsëdrejti dhe nuk është e prekshme si në shumë vende të tjera të Evropës.

Një fije shprese në Kosovë ekziston se mbase kriza energjetike do të jetë paksa më e butë për shkak të strukturës së prodhimit që mbështetet kryesisht nga djegja e qymyrit, që në minierat tona tani për tani ka me bollëk. Por, dimri është i gjatë, prandaj përgatitjet në nivele shteti janë të domosdoshme edhe te ne. Sikundër që është e domosdoshme edhe përcjellja e vëmendshme e ngritjes së ethshme të çmimeve të produkteve ushqimore. Edhe në ekonominë e tregut, ecuria e çmimeve kontrollohet dhe nuk lejohet kaosi, as anarkia.