Zëdhënësi i BE-së e konsideron “specifik” veriun e Kosovës: Situata në atë pjesë është jostabile

Zëdhënësi për politikë të jashtme i Komisionit evropian, Peter Stano dha sqarim për deklaratën e Borellit për incidentet në veri të Kosovës, duke cekur se qëllimi nuk është të tregohet me gisht njëra apo tjetra palë.

I pyetur përse Borell flet për njëanshmëri dhe moskoordinim për këtë operacion, i cili shkaktoi trazira në veri, zëdhënësi Stano sot në brifing të rregullt për gazetarë sqaroi se përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i referohet “kontekstit në gjerësi”.

“Konteksti i asaj që po ndodhë në veri të Kosovës është i lidhur me çështjen më të gjerë mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëhet fjalë për koordinim nëse njëra palë vendosë të bëjë diçka në një pjesë me atribute specifike siç është veriu i Kosovës, praktika e zakonshme është të ketë koordinim të afërt me komunitetin ndërkombëtar, me KFOR-in dhe me kolegët nga ana tjetër”, deklaroi Stano.

Zëdhënësi shtoi se reagimi i Borellit nuk i referohet vetë operacionit policor kundër kontrabandistëve.

“Situata në atë pjesë të Kosovës është jostabile dhe gjithçka që bëhet në atë pjesë të territorit duhet të merret parasysh, thamë herën e kaluar se çdo veprim i njëanshëm duhet të evitohet në mënyrë që të mos ketë konfrontime”, tha zëdhënësi i Komisionit evropian për agjencinë MIA

Për KE-në është me rëndësi që të dy palët të koordinohen në çdo kohë, ndërsa komenti i Borellit nuk i referohet thelbit të luftës kundër korrupsionit, thotë Stano.

“Ajo që ndodhi dje është rezultat i disa veprimeve të caktuara të cilat nuk ishin të koordinuara”, tha Stano dhe shtoi se “nuk mund të reduktohet reagimi i vetë operacionit policor, por se bëhet fjalë për çështje gjithpërfshirëse e cila rregullisht kthehet në skenë”.

Komisioni evropian edhe njëherë u bëri thirrje të dyja palëve ta shfrytëzojnë dialogun e Brukselit për t’i zgjidhur të gjitha çështjet.