Mbrojtja në liri e ish-krerëve të UÇK-së, Ibishi: Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitete

Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet të garantojnë mbrojtjen në liri për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë nga Gjykata Speciale. Kështu tha eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou e ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të japë informacione të detajuara lidhur me aftësinë e saj për ta garantuar sigurinë e mjaftueshme në rast të lirimit me kusht të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ibishi tha se Policia e ka obligim të garantoj në bazë të rregullave.

“Është kërkuar nga Gjykata Speciale me kërkesë të avokatëve ku policia është e obliguar që në kuadër të kapaciteteve të garantoj siguri të plotë për ta në aspektin e sigurisë sidomos në vendet ku garantohet qëndrimi duke përfshirë këtu dëshmitarët dhe ndikimi tek ta”, tha ai për Ekonomia Online.

Ai mes tjerash tha se Kosova i ka të gjitha kapacitetet dhe janë funksionale sistemet e drejtësisë, për çka mund të garantojnë një mbrojtje të tillë e komplekse pa problem.

“Mendoj që Kosova i ka të gjitha institucionet e Drejtësisë funksionale dhe bashkëvepruese madje kemi edhe prezencën e EULEX-it me mision të kufizuar të autorizimit, por që ka kapacitete të mjaftueshme në bazë të rregullave të parapara nga Gjykata Speciale”, theksoi tutje ai.

Nëse ndodh e kundërta, Ibishi thotë se nuk është mirë për vet institucionin e sektorit të sigurisë dhe detyrimin që marrin.

“Atëherë nuk është mirë për vet institucionet e sektorit të sigurisë dhe policisë që të marrin një funksion apo detyrim të tillë, sepse policia duhet ta parasheh qartë se po merr një detyrë të tillë për të cilën po zotohet”, përfundoi Ibishi.