Publikohet sërish një video, Dardan Krivaqa deklaron se çfarë po ndodh me llogaritë e tij në rrjetet sociale

Vrasja e Marigona Osmanit ishte një nga më të rëndat që ndodhi në Kosovën e pasluftës.

E njëjta dyshohet të jetë keqtrajtuar për disa ditë me radhë derisa më pas ishte lënë në spital pa shenja jete nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, tashmë që të dy të burgosur.

18 vjeçarja, Marigona Osmani kishte bashkëjetuar me të dyshuarin Dardan Krivaqa, kurse pas vdekjes së saj nga familjarët u theksua se ajo kishte pasur probleme të njëpasnjëshme me këtë të fundit.

Por derisa Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu gjenden në burg, dikush duket se po “luan” me ndjenjat e familjarëve të viktimës.
Vazhdimisht dikush përkujdeset për rrjetet sociale të Dardan Krivaqës.

Javë më parë i njëjti kishte publikuar një video në Instagram, e një gjë e tillë ndodhi edhe ditë më parë. Në redaksi të lajmi.net erdhi një video e cila ishte publikuar në rrjetin social Instagram, saktësisht në profilin e Krivaqës.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar Gjykatën Themelore në Ferizaj të cilët kanë theksuar se me aktvendim të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj dhe se i njëjti vazhdon të gjendet në paraburgim.

Kurse sa i përket seancës së radhës gjyqësore, trupi gjykues nuk ka pranuar ende aktakuzë lidhur me këtë rast dhe se çështja në fjalë gjendet në procedura paraprake.

Ndërsa nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë thënë për lajmi.net se i dyshuari është i vendosur në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe se është nën monitorim permanent nga stafi i sigurimit në këtë burg.

“Pas pyetjeve tuaja, i njëjti është intervistuar dhe deklaron se dikush nga jashtë mund t`i ketë keqpërdorur llogaritë e tij të rrjeteve sociale”, thuhet në përgjigjen e ShKK-së.

Poashtu është ritheksuar se të njëjtit nuk i lejohet posedimi i telefonit mobil brenda hapësirave të burgut, përveç telefonave të kabinave telefonike të cilat i posedon ky burg.

Video Player

00:00
00:20

Ndryshe Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar së fundi raportin e autopsisë së 18 vjeçares, Marigona Osmani nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Ndryshe më parë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është theksuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Krivaqa, më 22 gusht 2021 ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu (i cili gjendet në paraburgim) kanë kryer këtë vepër penale.

Gjithashtu sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Arbër Sejdiu, më 22 gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër Dardan Krivaqa, ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës dhe me këtë rast i njëjti (Arbër Sejdiu) ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, në vdekjen e të ndjerës.Në bazë të Prokurorisë, që të dy të dyshuarit më pas të njëjtën e kanë dërguar në spital pa shenja jete.

Duhet përkujtuar që gjatë viteve që lamë pas, por edhe në këta 10 muaj pati raste të shumta të përdorimit të dhunës ndaj femrave, disa nga to të raportuara e shumë prej tyre të lëna në heshtje.

Si  shkak i përdorimit të dhunës fizike shumë gra humbën jetën, ndërsa disa nga të dyshuarit vazhdojnë të përballen me gjyqësinë.

Por një rast mjaftë i rëndë pati ndodhur vite më parë në rajonin e Kamenicës, por që së fundi dënimi për të dyshuarin Nuhi Mavroqani ndryshoi.

Gjykata e Apelit ditë më parë mori vendim që të anuloj dënimin me burg të përjetshëm për Mavroqanin, e që ky vendim të kaloi në 25 vite burgim.

I njëjti kishte vrarë gruan e tij me shufër metalike në korrik të vitit 2020.