Zhvillime të reja në Bërnjak, tensionohet situata

Situata në veri të vendit është tensionuar.

Kjo për shkak se tashmë në pikën kufitare në Bërnjak nuk lejohet të shkojë askush.

Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë në vend të ngjarjes për të siguruar rendin dhe qetësinë.

Ndërsa sipas raportimeve të para theksohet se serbët e mbledhur ne këtë anë janë duke provokuar gjatë tërë kohës ekipet e Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës.

Kësisoj Policia e Kosovës ka marrë vendim që të mos i lejojë as gazetarët që të shkojnë deri në pikën kufitare në Bërnjak.

Për shkak të sigurisë së tyre, janë lejuar vetëm pesë gazetarë që të kalojnë deri në pikën kufitare.

Kurse gazetarët e tjerë po vazhdojnë të qëndrojnë në kordonin e parë të policisë i cili gjendet disa kilometra larg nga pika kufitare në Bërnjak.

Tash e katër ditë situata në Bërnjak po vazhdon të jetë thuajse e njëjtë ku serbët kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targat e automjeteve, kurse nga institucionet e vendit kërkohet respektimi i këtyre masave.

Vetëm gjatë dy ditëve nga MPB janë lëshuar mbi 6 mijë targa provuese apo të përkohshme për serbët të cilët hyjnë në shtetin e Kosovës.