Martesa e çiftit të njohur shqiptar, çertifikata e vaksinimit kusht për pjesmarrësit!

Pasi kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë në fillim të vitit, Rudina Dembacaj dhe Mark Frroku do bëjnë më në fund dasmë. Çifti ka zbuluar edhe datën, 1 tetor, teksa në rrjetet sociale u publikuan edhe ftesat.

Ftesat velvet në ngjyrë jeshile, të postuara fillimisht nga të ftuarit në dasmë, janë të punuara me dorë, dhe mbajnë dy simbole. Shega, është fruti simbol i prosperitetit, bollëkut dhe i bukurisë njëkohësisht, dhe nga ana tjetër, mbahet edhe si fruti i besnikërisë bashkëshortore.

“Me bekimin e fëmijëve tanë Viktoria, Leonard, Erta dhe Mara dëshirojmë të kurorëzojmë dashurinë tonë përpara Zotit, familjarëve dhe miqve që na gëzojnë jetën! Ndaj do të ishim të lumtur t’ju kishim në festën tonë të paharrueshme, ditën e premte, 01.10.2021, ora 19:00. Lutem konfirmimin tuaj sa më herët”, shkruhet në ftesën e dasmës së Rudinës dhe Markut

Mirëpo, një detaj tjetër duket se na ka shpëtuar nga ftesat dhe është kushti që Rudina e Marku kanë vendosur për të ftuarit. Nga ftesat e publikuara të plota në rrjetet sociale vihet re se të ftuarve u duhet të jenë të vaksinuar ose të tregojnë në hyrje test negativ Covid- 19.

“Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, ju duhet të tregoni detyrimisht në hyrje çertifikatën e vaksinimit ose test negativ Covid-19 të 48 orëve të fundit”, shkruhet në ftesë.