Situata në Jarinje përmes pamjeve

Reciprociteti me Serbinë për targat e automjeteve, ishte arsyeja që Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës ia mësynë sot veriut të vendit.

Blinda të shumta, e zyrtarë të shumtë policorë u vendosën sot në pikën kufitare Kosovë-Serbi, saktësisht në Jarinje.

Për dallim nga ditët e tjera sot në këtë anë shiheshin më shumë uniforma të Policisë së Kosovës

Por pavarësisht se qytetarë të shumtë serbë tentuan të kundërshtojnë këtë vendim duke protestuar në rrugë, situata është e qetë.

Kjo gjë është theksuar edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i cili edhe u deklarua lidhur me rastin.

Në vendimin e bërë publik nga vetë ministri Sveçla ndër të tjerash thuhet se “obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Pajisa me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës”, transmeton lajmi.net.

Ministri Sveçla theksoi se vendimi është marrë lidhur me reciprocitetin e targave të automjeteve dhe se një gjë e tillë duhet të respektohet nga të gjithë.

Lidhur me këtë situatë, më poshtë mund të shihni pamje nga aksioni që po vazhdon të zhvillohet në Jarinje.