Kurti pyetet përsëri për “Open Ballkan”: Bashkimi Evropian është fati ynë, të gjitha iniciativat i kemi drejt BE-së

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë zhvilluar sot mbledhjen e parë në mes të dy qeverive.

Pas kësaj, në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se mbledhja e sotme në mes dy qeverive tona është moment historik në bashkëpunimin midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Maqedonia e Veriut sivjet ka kremtuar 30 vjet të pavarësisë, Kosova 13 vjet të pavarësisë dhe kjo ishte mbledhja e parë në mes të dy qeverive tona për të intensifikuar dhe zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha.E falënderoj kryeministrin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev për pritjen e përzemërt dhe për organizimin e kësaj mbledhje e cila u parapri nga një takim midis nesh. Shpreh ngushëllime për të gjithë familjarët që humbën më të dashurit e tyre në ngjarjen e spitalit të Tetovës si dhe atyre që humbën familjarët si pasojë e virusit COVID-19.Mbajtëm mbledhjen e përbashkët e cila për neve është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe marrëdhënieve të mira e miqësore.Bashkëpunimi i politikave dhe punëve të përbashkëta që lehtëson jetët e qytetarëve në të dy anët e kufirit konsideroj se është obligim i yni politik dhe përgjegjësi institucionale. Deri tani patëm 42 marrëveshje, sot nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme si në diasporë, turizëm, inovacion, ndërmarrësi, për siguri , kontroll të transportit hekurudhor e të tjera”, tha Kurti.

Tutje ai shtoi se ndër to është edhe memorandumi i bashkëpunimit për rrugën Prizren-Tetovë, një aks tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“E kjo lidh edhe më ngushtë vendet tona, ekonomitë tona dhe qytetarë tanë.Me kryeministrin Zaev zhvilluam një takim sa miqësor edhe pune. Folëm për respektimin e të drejtave të qytetarëve që jetojnë në popujt tanë, si bazë e mbështetur tek praktikat më të mira evropiane e demokratike.Si vende me synime të përbashkëta në integrim evropian e kuptojmë se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është tejet i rëndësishëm dhe kësisoj diskutuam për nevojën e bashkëpunimit sidomos ndërkufitar.Qeveria jonë e re është ngritur dhe qëndron e fortë me qëllim të drejtësisë dhe zhvillimit, e për ti arritur këto e rëndësishme është edhe bashkëpunimi bilateral siç është edhe ai me Maqedoninë e Veriut.Nga këto 11 marrëveshje përfitojnë të dy vendet dhe qytetarët tanë”, shtoi Kurti, shkruan lajmi.net.

Tutje kryeministri Kurti u pyet lidhur me çështjen e “Ballkanit të Hapur”, ku shtoi se Republika e Kosovës dëshiron sa më shumë bashkëpunim, por se Bashkimi Evropian është fati i Kosovës dhe se Evropa është kontinenti ynë.

“Ne dëshirojmë që sa më shumë bashkëpunim dhe në marrëveshje dhe në zbatim të tyre në aspektin bilateral në Republikën e Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut dhe kjo mbledhje është përkujtim se jemi të orientuar kah e ardhmja dhe për ne e ardhmja është Bashkimi Evropian. Pra BE është fati ynë, ndërsa Evropa është kontinenti ynë. Andaj si Kosovë e mbështesim të gjitha iniciativat normale në të cilat e kemi BE-në e që janë nga Bashkimi Evropian. Natyrisht se të gjitha këto marrëveshje të nënshkruara asnjëra prej tyre nuk do duhej të kenë moszbatim pavarësisht dallimeve”, tha ai.