AAK: Nuk duhet të rrezikohen legjitimiteti i institucioneve dhe demokracia

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në një takim që ka mbajtur sot, ka rikonfirmuar qëndrimin për shkurtimin e fushatës zgjedhore nga 30 në 5 ditë.

Përmes një komunikate për media, AAK deklaron se nuk duhet të rrezikohen legjitimiteti i institucioneve dhe demokracia.

“Aleanca është dakorduar që zgjedhjet lokale të mbahen me fushatë të shkurtuar, nga 30 në 5 ditë, me paraqitje publike të kufizuara sipas masave të cilat përcaktohen nga ekspertët shëndetësorë. Në respekt të plotë të jetës njerëzore, Aleanca konsideron se legjitimiteti i institucioneve dhe demokracia nuk duhet të rrezikohen”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, përfaqësuesit e partive politike sot do të takohen me Presidenten Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth zgjedhjeve të 17 tetorit, pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shtyrjen e tyre.