Nebojsha Pavkoviq urdhëroi asgjësimin e dosjeve të luftës në Kosovë

Deklarata e zv/kryeministrit Besnik Bislimi se janë pajtuar me Serbinë për hapjen e arkivave shtetërore, përfshirë edhe ato të UÇK-së, nxiti reagime të ashpra në Kosovë. Shumica e reagimeve kishin të bënin me faktin që UÇK nuk ka arkiva pasi që ka zhvilluar luftë çlirimtare.

RTK, më konkretisht emisioni hulumtues UDHËVE i datës 16.10.2020, pat zbardhur dokumente top sekrete te Ushtrisë Jugosllave dhe urdhërin e shefit të kësaj ushtrie Nebojsha Pavkoviqit për asgjësimin dhe zhdukjen e dosjeve të luftës të periudhës 1998-1999 në Kosovë. Çuditërisht asnjë nga insititucionet e Republikës së Kosovës, as ato politike e as ato të sigurisë e as të drejtësisë, por as shoqëria civile nuk e patën thënë as edhe një fjalë të vetme rreth kësaj çështjeje. Ndërsa asgjësimi dhe zhdukja e të gjitha dosjeve për të humbur të gjitha gjurmët e krimeve të kryera në Kosovë nga shteti serb sipas ekseprtëve të drejtës penale ndërkombëtare paraqet krim ndërkombëtarë. Në vazhdim do të publikojmë edhe njëherë të gjithë artikullin e postuar vitin e kaluar rreth kësaj çështje.

Ishte viti 2001 kur shteti serb ndodhej para një presioni të madh ndërkombëtar. Tribunali i Hagës kërkonte nga Serbia që t’i dorëzonte kriminelët e luftës në krye me Millosheviqin, si dhe t’i hapte hartat e varrezave masive nga lufta e Kosovës. Duhet të ketë qenë arrestimi dhe dorëzimi i Sllobodan Millosheviqit në Hagë, arsyeja që edhe brenda Ushtrisë Jugosllave të niste një aksion për zhdukjen e të dhënave për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Një dokument i Ushtrisë Jugosllave që mban datën 18.10.2001 i klasifikuar si “vojna tajna”(sekret ushtarak), zbulon një fakt tronditës. Bëhet fjalë për një urdhër të shefit të atëhershëm të “gjeneralshtabit” gjeneralkolonel Nebojsha Pavkoviq, i cili urdhëronte vartësit e tij që t’i asgjësonin të gjitha të dhënat arkivore (në origjinal) të komandës ushtarake të Korpusit të Prishtinës për periudhën nga: 01.01.1998 deri më 26.06.1999. Pavkoviqi po ashtu urdhëronte që, pasi të asgjësoheshin të gjitha dosjet origjinale, në vendin e tyre të vendoseshin të tjera dosje, në mënyrë që mos të vërehej se në arkiv mungonin dosje të caktuara.

Në dokumentin e cilësuar si rreptësisht konfidencial me numër 1737-3, sekret ushtarak i cili është urdhër-vendim i gjeneralit të shtabit të Ushtrisë Jugosllave Nebojsha Pavkoviq thuhet:

Fotodokument 1: Urdhëresa e Nebojsha Pavkoviqit dërguar vartësve të tij për asgjësimin e të dhënave arkivore të luftës së Kosovës, datë: 18.10.2001, Beograd)

Për këtë “mision” Pavkoviqi e kishte ngarkuar referentin tij ushtarak, Goran Jeftoviq, duke e instruktuar atë se me cilat dosje saktësisht duhej të merrej. Urdhri kishte edhe një afat kohor për t’u realizuar – deri më 01.11.2001 – ditë kur i ngarkuari Jeftoviq duhej të raportonte për realizimin e tij.
Pra, siç shihet edhe në dokument dosjet me numrat si: 007, 0010, 1333, 015.022.028, 24,28,028,031, e kështu me radhë sipas renditjes tabelare, mungojnë në arkivin e Ushtrisë Jugosllave dhe kopjet e të njëjtave, me gjasë, ose janë asgjësuar ose ruhen diku për nevojat që veç shteti serb i di.

Fotodokument 2: Lista me renditje tabelare e dosjeve të cilat urdhëroheshin të asgjësoheshin ose të largoheshin nga arkivi i Ushtrisë Jugosllave)

Por kjo ndërhyrje në të dhënat arkivore siç duket nuk kishte kaluar po u vërejtur. Një dokument sekret i nxjerrë direkt nga zyra e Vojsllav Koshtunicës në kohën kur ai ka qenë president i Federatës Jugosllave, që mban datën 27.03.2002, zbulon faktin se komanda e Ushtrisë Jugosllave ndodhej në një krizë të papritur. Shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq ia drejtonte një letër sekrete Koshtunicës ku e informonte për “devijimet” e shefit të Drejtorisë së Sigurimit Ushtarak (Uprava Vojske Bezbednosti), gjeneralmajorit, Aca Tomiq. Pavkoviqi e informonte Koshtunicën se një ekip ushtarakësh e kishin hetuar për disa muaj aktivitetin e Tomiqit dhe kishin ardhur në përfundim se ai, siç thuhej në atë letër “kishte devijuar nga përgjegjësitë ushtarake dhe shtetërore”.

Me sa duket kishte qenë pikërisht ky Aca Tomiq personi i parë që kishte nisur të krijonte dosje për Pavkoviqin duke u nisur nga arsyeja e ndërhyrjes në të dhënat arkivore të Ushtrisë Jugosllave. Dhe, natyrisht, ky fakt e frikësonte Pavkoviqin dhe kërkonte nga Koshtunica që ta mbështeste në degradimin dhe eliminimin e tij.

Fotodokument 3: Letra e Pavkoviqit drejtuar Koshtunicës ku ai e denonconte Aca Tomiqin për mosbindje urdhrash, datë: 27.03.2002, Beograd)

Sidoqoftë, kjo çështje është shumë më e komplikuar se kaq, pasi që një vit më vonë kur Aca Tomiq u lirua nga detyra ushtarake me aktgjykim të Gjykatës Ushtarake në Beograd (më datë 29.04.2002), mediat serbe zbuluan se në konfliktin e madh në mes të presidentit serb, Vojsllav Koshtunica dhe kryeministrit, Zoran Gjingjiq, ndodhej pikërisht ky Aca Tomiq. Tomiq akuzohej se ia mbante krahun Koshtunicës dhe qëndronte prapa bandës së ashtuquajtur “Klani i Zemunit”, i cili më vonë do të akuzohej për vrasjen e Gjingjiqit.

Fotodokument 4: Dokument i klasifikuar si “vojna tajna” ku nga organi ushtarak i akuzës denoncohej shefi i Drejtorisë së Sigurimit Ushtarak, Aca Tomiq, datë: 18.06. 2002, Beograd)

T’i kthehemi edhe një herë çështjes së fshehjes dhe asgjësimit të të dhënave arkivore. Nga një mbledhje përbashkët e mbajtur në komandën e Garnizonit të Prishtinës më 29.05.1998, ku pikërisht Nebojsha Pavkoviq, që në atë kohë ishte komandant i Korpusit të Prishtinës, në fund të mbledhjes kishte ngritur disa “dilema”: nuk e kishte ditur se çfarë të bënte me të vrarët, me të plagosurit dhe me të zënit rob, prandaj për këto çështje kishte kërkuar përgjigje nga “lart”. Pra, në këtë ndërmarrje kriminale bashkë me Pavkoviqin ishin të përfshirë edhe: Radoslav Doniviq, koloneli Slobodan Dimiq, Mileta Novakoviq si oficeri me ermin (mbiemrin) Prljeviq.
Si duket shefi i ushtrisë së rregullt serbe kishte plane për të gjitha vrasjet, masakrat, dëbimet, dhunimet, kidnapimet, djegiet, për vrasjen e të burgosurve dhe pengjeve të luftës si në Dubravë etj. Pasi i ka realizuar të gjitha këto krime kishte ardhur koha që të asgjësoheshin të dhënat arkivore, dhe atë: planet operative, vendi i vrasjeve, vendi i varrezave, planet për fshehjen e krimeve etj.

Gjatë hulumtimeve të dokumentacionit serb të luftës shumë shpesh haset emri i një personi si i involvuar në procesin e fshehjes së krimeve. Ai është Velko Odalloviq. Edhe pse ishte shef i socialistëve të Millosheviqit për Kosovë, aktiviteti i tij institucional asnjëherë nuk u fsheh nën petkun partiak. Gjatë kohës së luftës e sidomos në prag të përfundimit të saj, Odalloviq i ka koordinuar disa segmente shtetërore të sigurisë për fshehjen dhe zhdukjen e provave të krimeve që institucionet serbe kishin kryer mbi shqiptarët. Odalloviq bashkë Zoran Agjellkoviqin ish-i deleguar i Millosheviqit për Kosovë, i kanë bashkërenduar punët me David Gaijqin, Mishko Llakoviqin, Misha Vilotiqin, Boshko Periqin, Bozhidar Filicin, Momo Stojanoviqin etj., që në mënyrë sekrete t’i bartnin disa kamionë me kufoma shqiptarësh të vrarë, cilët në ditët e para të muajit qershor të vitit 1999 nga Kosova ishin nisur në drejtim të territorit të Serbisë. Në fushatën për bartjen e kufomave nga Kosova në Batajnicë Velko Odalloviq kishte marrë urdhër nga Vllastimir Gjorgjeviqi, kurse operacionin e kishte realizuar Novica Zdravkoviqi.