Shfaqen variante të reja, SHBA pranë aplikimit të dozës përforcuese

Ndërsa miliona amerikanë lëvizin lirshëm, ka shqetësime që shtimi i udhëtimeve dhe grumbullimeve masive mund të sjellë një valë tjetër të Covid-19. Spitalet në disa shtete janë të tejmbushur me pacientë.

“Po vendosim rekord rastesh dhe kemi shifra rekord të të shtruarve në spitale që luftojnë Covid-19, apo të intubuar që luftojnë për jetën.”, shprehet Andy Beshear, guvernator i Kentucky.

Rreth 100 mijë persona janë të hospitalizuar me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave zyrtare nga departamenti I shëndetësisë.

“Një pjesë e kësaj ka ardhur si shkak i fushatave të mëdha të dezinformimit dhe njerëzit besojnë informacione që nuk janë të vërteta.”, deklaron Larry Hogan, guvernator i Maryland.

Zyrtarët shëndetësor monitorojnë me kujdes një tjetër variant të quajtur “Mu”.

“Aktualisht nuk është një kërcënim”, thotë Fauci.

Rregullatorët federalë po shqyrtojnë mundësinë e autorizimit të një doze përforcuese në javët e ardhshme. Virologu Fauci tha për CBS se Shtëpia e Bardhë dëshiron aplikimin e një doze të tretë duke nisur nga 20 shtatori, por ky plan vaksinimi duhet të marrë aprovimin e FDA dhe firmën e CDC.

“Lajmi i mirë lidhur me vaksinat është se nëse zotëron një nivel të lartë antitrupash, gjë të cilën e mundëson doza përforcuese, mund të jeni të sigurtë që jeni të mbrojtur nga çdo variant.”, u shpreh Fauci.