Kurtit i kërkohet agjendë para uljes në tryezë të bisedimeve

Paralajmërimi i kryeministrit, Albin Kurti për një takim të mundshëm të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në vjeshtën e këtij viti, po shihet i ndërlidhur me zgjedhjet lokale që do të mbahen në vend.

Analisti politik, Shemsi Jashari, ka thënë se ky paralajmërim ka ardhur nga Kurti për qëllim të efektit të brendshëm elektoral para zgjedhjeve të tetorit.

“Dialogu me Serbinë është një temë e cila nuk mund të injorohet dhe patjetër që duhet të shtyhet përpara, duhet të marrim pjesë. Ajo çka ndodhur mes takimit të fundit dhe takimit tashmë të paralajmëruar që do të mbahet në vjeshtë, është një periudhë e pushimeve të detyrueshme për shkak edhe të mospajtimeve mes dy qeverive, të Kosovës dhe asaj në Beograd. Por paralajmërimi për një datë të vjeshtës kur do të rikthehet në takimin e radhës Kurti, e shoh pak të ndërlidhur edhe me zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor e siç duhet Kurti me çdo kusht ka dashur që takimet me Vuçiqin dhe dialogu me Serbinë të prolongohet deri pas zgjedhjeve lokale, kjo për një efekt të brendshëm dhe elektoral. Gjithashtu ajo çka është e rëndësishme është që Kosova të shkoj e përgatitur, të di se çfarë të kërkojë në këtë dialog dhe assesi mos të mbetet në sytë e partnerëve ndërkombëtar si pala e cila e pengon këtë dialog, si palë jokonstruktive”.

“E ajo që kemi parë në takimin e fundit nuk ka lënë shumë shije të mirë shikuar nga spektri ndërkombëtar e që Kosova rrezikon të mbetet fajtore për mospërparim në dialog. Temat e rëndësishme që janë trajtuar dhe janë paraqitur si prioritet e Qeverisë Kurti, njëra prej tyre që është hulumtimi për të pagjeturit është një temë e cila ka ngecur dhe e cila pa një dialog të mirëfilltë dhe pa arritje të rezultateve të këtij dialogu assesi nuk mund të ecë përpara”, është shprehur ai për EO.

Tutje Jashari ka vlerësuar se kësaj radhe Kosova po shkon në dialog e hendikepuar, pa ambasadorë në vende të huaja.

Po ashtu ai ka thënë se Kurti nuk duhet të niset për Bruksel pa një agjendë të qartë dhe pa një propozim zgjidhje për temat të cilat e presin në dialog.

“Në këtë dialog mendoj që Kurti dhe Qeveria e Kosovës shkon e hendikepuar edhe për faktin që në aspektin ndërkombëtar e kemi parë që ministria e Jashtme dhe në këtë rast edhe presidentja e kryeministri kanë dështuar që të emërojnë ambasadorë në shumicën e shteteve mike. Kemi ambasadorë të cilëve vetëm iu ka skaduar mandati dhe paralajmërimi për zyre të mbyllura dhe kjo që gjithsesi që do të ndikojë tek vendet mikpritëse të këtyre ambasadorëve që të jenë informohen drejtë për kërkesat e Kosovës dhe qasjen në dialog. Kurti duhet patjetër të kujdeset që mos të ndodhë që të shkojë në dialog pa një agjendë të qartë dhe pa një propozim zgjidhje për temat të cilat e presin në dialog”, ka shtuar ai.

Analisti Jashari nuk pret rezultate konkrete, derisa qytetari i Kosovës të mësohet me fotografinë e përbashkët Kurti-Vuçiq në dialog, vetëm atëherë sipas tij fillon dialogu i vërtetë.

“Mendoj që nuk do të ketë rezultat konkret, do të ketë një vazhdimësi. Ndoshta fillimi i Kurtit për të marrë pjesë në dialogun me Serbinë është një qasje më shumë politike, pragmatike e tij që të duket se ky është një kundërshtar i fuqishëm i Serbisë, sikur ky nuk do të lejojë kompromise, sikur ky do t’i bëjë ballë presionit ndërkombëtar por edhe të Serbisë për të lëshuar pe për të bërë kompromise që do të konsideroheshin në dëm të Kosovës. Sa më shpesh ta mbahen takime do të shohim që do të përdoret më pak do të përdoret retorika populiste sepse elektorati i tij, qytetari i Kosovës do të mësohet me një Albin në tryezën e dialogut me Vuçiqin. Në momentin që mësohet qytetari me fotografinë e Albin Kurtit në tryezë me Vuçiqin atëherë do të fillojë dialogu i vërtetë kur mund të priten rezultate të caktuara”, ka përfunduar ai për EO.