Rasti i Afganistanit: Tërheqja e amerikanëve nga Kosova s’shihet si opsion, qeverisë i bëhet thirrje për kujdes

Ngjarjet e fundit në Afganistan kanë trazuar shumë vende të botës duke lënë të shokuar miliona njerëz. Pas marrjes së pushtetit nga talebanët në Afganistan, të gjitha vendet u detyruan që t’i tërheqin amabasadat e tyre.

Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tërhequr trupat amerikane nga Afganistani.

Përveç Afganistanit, SHBA-të kanë tërhequr trupat edhe nga shumë vende të tjera të botës.

Por a mund të ndodhë tërheqja e trupave amerikane edhe nga Kosova?

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi për lajmi.net thotë se Kosovës nuk ka gjasa t’i ndodhë një gjë e tillë.

Sipas tij, Kosova është vend me forma qenësore e të rëndësishme për shtetformim dhe krijim të institucioneve të qëndrueshme të sigurisë dhe nuk mund të krahasohet me vende si Afganistani.

“Mendoj që nuk ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë. Kosova është vend skamnor me forma qenësore të rëndësishme për shtetformimin edhe krijimin e insitucioneve të qëndrueshme të sigurisë, që e dallon nga një vend si Afganistani”, tha Ibishi për lajmi.net.

Sipas Ibishit, gjasat për të ndodhur një gjë e tillë janë të pakta së paku edhe për një kohë të caktuar, pasi që siç thotë ai SHBA-të së bashku me NATO-n do të shërbejnë për një kohë derisa të krijohen kushtet për marrjen apo ndërhyrjen e FSK-së si forcë e armatosur nën ombrellën e NATO-s.

Pas kësaj, sipas tij vjen koha kur NATO mund të tërhiqet por jo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë që ndihmojnë Kosovën.

“Mendoj që nuk ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë edhe për një kohë të afërm në kuptimin e asaj që SHBA-ja së bashku sidomos NATO gjatë kohës së caktuar do të shërbejnë për një kohë derisa të krijohen kushtet për marrjen apo ndërhyrjen e FSK-së si forcë e armatosur nën ombrellën e NATO-s dhe vjen ajo kohë kur NATO mund të tërhiqet por jo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë që ndihmojnë Kosovën drejt vendeve të Bashkimit Europian kështu që nuk ka asnjë elementë që një gjë e tillë të ndodhë”, u shpreh Ibishi.

Eksperti sigurisë, Nuredin Ibishi, sistemin e talebanëve e sheh shumë problem për t’u udhëhequr, dhe se fatkeqësia e madhe e ndodhur atje siç thotë ai do të jetë problem i madh për një kohë të gjatë.

Tërheqjen e Amerikës nga Kosova nuk e sheh të mundshme as eksperti ushtarak dhe i sigurisë, Ramadan Qehaja. Ai madje mendon që duhet të jemi sy-hapur në aspektin e sigurisë që Kosova të mos rrezikohet nga afganët e ardhur së fundmi në Kosovë.

“S’pari Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë mirë që ka pranuar një numër të Afganistanëve me i strehu në vendin tonë sepse këta janë njerëz të cilët i kanë ndihmu NATO-s e Amerikës për ta instalu demokracinë atje. Por në aspektin e sigurisë duhet të jemi sy qelë aq më parë që në grupin e këtyre njerzve të cilët vijnë këtu për tu strehuar përkohësisht mund të ndodhë që mund të ketë edhe njerëz të detashuar me detyra të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me destabilizim eventual të situatës së sigurisë në Republikën e Kosovës”, tha Qehaja për lajmi.net.

Sipas Qehajës, Organet e Sigurisë, AKI dhe Policia e Kosovës duhet intenzivisht të punojnë në aspektin e sigurisë që Kosova të mos rrezikohet nga një gjë e tillë, pasi shërbimet e huaja që veprojnë në vendin tonë, siç shprehet ai kanë synime të destabilizojmë vendin tonë.

“Prandaj Organet e Sigurisë para së gjithash Agjencioni i Inteligjencës së Kosovës, dhe Policia e Kosovës duhet intenzivisht të punojnë dhe të jenë sy qelë që kjo mos të na ndodhë sepse dikush apo shërbimet e huaja të cilat veprojnë këtu në Kosovë e nuk na dojnë të mirën si dhe provojnë të prishin destabilizimin në vendin tonë”, shtoi ndër të tjera ai.

Kujtojmë se Kosova në ditën e diel ka pranuar emigrantët e parë afganë, ndërsa gjithsej në Kosovë pritet të vinë rreth 2,000 refugjatë.