Rritja e numrit të rasteve të infektimeve dhe të vdekjeve nga Covid-19 ka ardhur si pasojë e hapjes së pakontrolluar gjatë muajve të verës.
Ish-kryetari i partisë aktuale në pushtet, Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka konsideruar se është keqkalkuluar kur është bërë hapja gjatë verës, pa siguruar vaksina dhe pa shpërndarë ato.
“Qeverisja aktuale e ka bërë një këmbim në mes të shëndetit publik dhe zhvillimit ekonomik, dhe gjatë verës i ka dhënë më shumë prioritet zhvillimit ekonomik, rritjes së qarkullimit të bizneseve në përgjithësi, që ka ardh me hapjen që u bë. Kjo ndodhi edhe për shkak të rënies së numrave, por pastaj edhe një arsyeve kryesore që sot e kemi këtë rritje të numrit të infektimeve dhe fatkeqësisht rritjen e vdekjeve është edhe për shkak të hapjes që e kemi pas të pakontrolluar gjatë verës”, tha Ymeri.
Ymeri ka thënë se është për tu alarmuar që zgjedhjet lokale janë afër dhe procesi i vaksinimit akoma nuk është përshpejtuar sa duhet, duke e konsideruar të nevojshëm vaksinimin para këtij procesi.
“Statistikisht po dëshmohet se kushdo që është i imunizuar me së paku dy doza të vaksinës po e kalon shumë më lehtë variantin Delta ndërkohë që ata që po shtrihen në spital 90 për qind prej tyre janë të pavaksinuar. Dhe kjo mendoj që është një alarm i rëndësishëm që duhet ngritur veçanërisht tash kur kemi afër zgjedhjet lokale në mënyrë që të përshpejtohet procesi i vaksinimit, që rreziqet nga Covid të jenë më të vogla”.
Tutje ai ka vlerësuar se përderisa Qeveria Hoti është munduar të gjejë një balancë mes nevojës për aktivitet ekonomik dhe shëndetit publik, diçka e tillë nuk po shihet nga Qeveria Kurti.
“Gjatë qeverisjes Hoti kemi pasur masa të cilat janë mundu me gjet një balancë mes nevojës për aktivitet ekonomik dhe shëndetit publik. Te kjo Qeveri deri tash kemi parë një lloj sekuencimi të këtyre dyjave, pra kur kemi përqendrim te ekonomia jemi të hapur tërësisht, pastaj kur kemi përqendrim te shëndeti publik ka masa më rigoroze. Nuk po them që këto masa nuk janë të domosdoshme por mendoj që është dashtë të merren më herët dhe pastaj analizimi i tyre të bëhet më shpesh e më shpejt. Efektet që po arrijnë masat e caktuara si ta zëmë ora policore duhet të dalë me një lloj raporti Qeveria të tregoj se pse masa policore po është efektive ndaj pandemisë, sepse po shkakton edhe shumë probleme tjera”.
“Në përgjithësi secila Qeveri në Kosovë e ka bërë një gabim jashtëzakonisht të madh dhe po vazhdojnë me bë që fatkeqësisht që shëndetin publik po e ndërlidhin drejtpërsëdrejti vetëm me Covidin. Shëndeti publik është koncept më i gjerë, nuk është vetëm Covid por edhe siguria në vendin e punës, të ardhurat mujore për familje, shëndeti mental për të cilin afër nuk çan kohën e nuk flet kush”, ka përfunduar ai.