Gjykata Themelore e Prizrenit ua ka caktuar nga një muaj paraburgim të pandehurve Xh.K., A.S., dhe Sh.K., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale falsifikimi i dokumenteve, konkretisht lëshimin e testeve të koronavirusit me rezultat negativ.
Gjykata Themelore në Prizren njofton se me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve, gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
“Të pandehurit Xh.K., A.S., dhe Sh.K., me datë 24 gusht, në orët e mbrëmjes në Prizren, në Agjencione të ndryshme me dije përdorin dokumentin e falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, ashtu që falsifikojnë teste RT – PCR SARS COVID-19 – NEGATIV, ne emër të shumë personave, duke manipuluar me kompjuterë dhe duke vendosur vula në testet e falsifikuara në këmbim të një shumë të parasë”, njofton gjykata.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh se procedura është në fazën fillestare të hetimit dhe për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, është i nevojshëm caktimi i paraburgimit sepse ekziston rrezik potencial që nëse të pandehurit lihen në liri, atëherë të njëjti do të mund t’i asgjësojnë, fshehin ose ndryshoj provat e tjera të veprës penale dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, përkatësisht procedurës hetimore, si dhe duke marrë për bazë mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, dhe peshën e rëndë të veprës penale, gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet tutje në njoftiin e gjykatës.