Gjatë ditës së djeshme u raportua për një incident të ndodhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve derisa po zhvillohej një mbledhje e rregullt.
Lidhur me këtë nga Policia e Kosovës janë dhënë detaje shtesë, ku theksohet se dyshohet se një zyrtar i këtij institucioni është sulmuar për shkak të mos mbajtjes së maskës, nga anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi.
Sipas raportit 24 orësh të policisë ngjarja ishte raportuar të ketë ndodhur rreth orës 12:20.
Poashtu u tha se viktima është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari pasi nuk kishte vendosur maskë.
“Rr. Migjeni, Prishtinë 25.08.2021 – 12:20. Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se, në korridor të objektit është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari mashkull kosovar për shkak se viktima nuk e kishte maskën”, thuhet në raport.
Lidhur me rastin nga policia janë intervistuar dy dëshmitar rasti.
“Është njoftuar prokuroi, ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thuhet tutje në raportin 24 orësh.