Serbët bojkotuan punën në Gjykatën e Mitrovicës, reagon KGJK

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njofton se me vëmendje po përcjell zhvillimet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas pranimit të informacioneve se gjyqtarët dhe punonjësit mbështetës nga komuniteti serb nuk janë paraqitur në vendin e punës, sot më datën 25 gusht 2021.

Këshilli është duke e trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe “shpresojmë se së shpejti gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës do të kthehen në vendin e punës”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

Kujtojmë se dje ka pasur reagime edhe nga Lista Serbe në veri të Mitrovicës, të cilët kanë deklaruar se do të diskutojnë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për të vendosur se a do të marrin pjesë në zgjedhje.

Reagimi i tyre ka ardhur pas pranisë së trupave dhe automjeteve të FSK-së në veri, ku edhe janë shpërndarë maska dhe mjete të tjera për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19.