Në Kosovë 35 pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë shëndetësore

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar njofton se në klinikat dhe spitalet në Kosovë janë të shtrirë 929 pacientë, prej tyre 723 të konfirmuar me koronavirus.

Sipas njoftimit ditor, 35 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërkaq 688 po trajtohen me oksigjeno-terapi.

Në Qendrën Klinike Universitare, në Klinikën Infektive janë të shtrirë 125 pacientë, në Klinikën Infektive 2 (Mjekësia Sportive) 92 pacientë, në atë të Pulmologjisë 51 pacientë, në Klinikën Infektive 3 (Interno) 28 pacientë, në Gjinekologji po trajtohen 20 pacientë dhe në Pediatri 13 pacientë.

Ndërkaq, sa i përket spitaleve të përgjithshme, numri më i madh i pacientëve po marrin trajtim në spitalin e Pejës, përkatësisht 140 pacientë. Në spitalin e Gjakovës janë 121 pacientë, në atë të Prizrenit 118 pacientë, në Gjilan po trajtohen 110 pacientë, në Ferizaj 70 pacientë, në Mitrovicë 22 pacientë dhe në spitalin e Vushtrrisë janë të shtrirë 15 pacientë.

Në Kosovë, javëve të fundit është rënduar situata epidemiologjike. Sipas autoriteteve, 99 për qind e rasteve të reja janë me variantin Delta të koronavirusit, që është variant më ngjitës se varianti fillestar i COVID-19.

Të dielën, më 22 gusht, Kosova regjistroi 11 viktima dhe 1.682 raste me COVID-19.

Që prej marsit të vitit 2020, deri më 22 gusht 2021, në Kosovë janë shënuar 129.309 raste. Prej tyre, 2.326 kanë vdekur dhe 107.288 janë shëruar.