Anulohet edicioni i 10-të i Beerfest Kosova

Organizatorët njoftojnë se është anuluar edicioni i 10-të i “Beerfest Kosova”.

Organizatorët bëjnë të ditur se anulimi i Beerfest vjen pas vendimit të Policisë së Kosovës, e cila vlerësoi se mbajtja e këtij festivali paraqet rrezik për qytetarët.

Vendimi i tillë kundërshtohet nga organizatorët, të cilët vlerësojnë se i kanë marrë të gjitha masat e parapara se se aktiviteti nuk dallon nga të tjerët që po mbahen këto ditë në vend.

“Ne si organizatorë nuk jemi dakord me këtë vendim dhe mendojmë që, Beerfest. Kosova në esencë nuk dallon nga aktivitetet dhe festivalet që po mbahen këto ditë në vendin tonë. Përveç kësaj, ne i kemi marrë të gjitha masat e parapara dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura që ky eveniment të mbahet në përputhje edhe me direktivat nga Ministria e Shëndetësisë dhe pëlqimet nga institicionet tjera sa i përket mbajtjes së aktiviteteve publike”, thuhet në njoftim.

Organizatorët e “Beerfest Kosova” thonë se duke parë rritjen e rasteve të reja me COVID-19 ditët e fundit, do ta respketojnë këtë vendim.

“Sido që të jetë, duke e parë edhe rritjen e madhe dhe drastike në ditët e fundit të rasteve me Covid-19, nuk kemi zgjedhje tjetër veçse të respektojmë këtë vendim dhe ta pezullojmë mbajtjen e Beerfest. Shpresojmë që në të ardhmen e afërt do të kemi ndryshime të rrethanave dhe do të krijohen kushtet për mbajtjen e këtij evenimenti. Duke ju uruar secilit nga ju shëndet, ju inkurajojmë që të vaksinoheni dhe urojmë të shihemi së shpejti”, thuhet në njoftim.