Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sot u ka dërguar letër të gjithë asambleistëve të Prishtinës, pa dallim partie, përmes së cilës ka kërkuar ta ndalojnë miratimin e Planit Zhvillimor Komunal të Prishtinës.
Ismaili ka thënë se ky plan është shumë i rëndësishëm prandaj duhet që të bëhen bashkë dhe ta ndalojnë planin i cili përcakton tetë vitet e ardhshme të Prishtinës.
Lexoni reagimin e plotë të Ismaili:
E ardhmja e qytetit nuk duhet të vendoset në fund të mandatit. Qeverisja e ardhshme e Prishtinës, cilado qoftë ajo, nuk mund të humbë edhe katër vite duke u ankuar për planet që i kishte gjetur nga administrata e kaluar.
Sot u kam dërguar letër të gjithë asambleistëve të Prishtinës, pa dallim partie, përmes së cilës kam kërkuar ta ndalojmë miratimin e Planit Zhvillimor Komunal të Prishtinës.
Plani Zhvillimor Komunal është dokument shumë i rëndësishëm për të ardhmen e qytetit tonë. Ky është dokument që, përveç tjerash, parasheh hapësirat ku do të ndërtohen çerdhet, shkollat, ambulancat, parqet, dhe në cilin drejtim e në çfarë mënyre do të organizohen infrastruktura, lagjet tona, pronat e qytetarëve dhe industria e ndërtimit.
Unë besoj që është qëllim i përbashkët i yni që Prishtinën ta bëjmë qytet më të jetueshëm, më të lumtur, e më të zhvilluar. Prandaj ju lus që të bëhemi bashkë dhe ta ndalojmë planin i cili përcakton tetë vitet e ardhshme të Prishtinës.
Prishtina na bashkon .