Kombëtarja e Kosovës U19 sot e ka nisur kampin disa ditor në Hajvali, në të cilin përzgjedhësi Ramiz Krasniqi do të shohë nga afër formën e futbollistëve, të cilët janë potencial për ekipin për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian, që do të zhvillohen në muajin tetor. Në këtë kamp përzgjedhësi Krasniqi kishte paraparë t’i kishte në dispozicion lojtarët që luajnë jashtë vendit, por për shkak se disa prej tyre nuk janë lejuar nga klubet e tyre, e disa tjerë për shkaqe objektive, përzgjedhësi ka vendosur që të ftojë edhe lojtarë nga klubet vendore. Të pranishëm në stërvitjen e sotme të Kombëtares U19 ishin edhe presidenti Agim Ademi dhe përzgjedhësi i Kombëtares, Bernard Challandes, i cili ndodhet në Kosovë për takim zyrtar me kreun e FFK-së. Ata vëzhguan nga afër paraqitjen e djelmoshave të rinj dardanë, gjeneratë kjo e cila është shumë e rëndësishme edhe për të ardhmen e Kombëtareve U21 dhe A. Në kuadër të këtij kampi, Kombëtarja U19 do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje testuese. Ndeshjen e parë do ta luajë nesër në Hajvali, në orën 17:30 kundër Fushë Kosovës. Dardanët U19 bëjnë pjesë në grupin Grupin 10 të kualifikimeve së bashku me Norvegjinë, Gjeorgjinë dhe Uellsin.