Bie nga sistemi faqja e terminëve për viza pune në Ambasadën Gjermane

Nga sot personat nga Kosova që janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19 kanë mundësi të regjistrohen sërish në listën e pritjes për caktimin e një termini për vizë pune në Gjermani.

Për shkak të interesimit të madh, serveri i faqes për caktim të terminit online ka dalë nga sistemi.

“Serveri aktualisht është i zënë. Aktualisht ka një fluks të madh kërkesash, ju lutemi provoni përsëri më vonë”, thuhet në faqen ku caktohen terminët për viza.

“‘Rregullorja për Ballkanin Perëndimor’, e rinovuar, ka hyrë në fuqi më 1 janar 2021. Me këtë shtetasit e Kosovës do të kenë qasje të privilegjuar në tregun e punës në Gjermani deri më 31 dhjetor 2023. Më 1 gusht 2021 shqyrtimi i kërkesave për viza të tilla për personat nga Kosova që janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19 do të jetë sërish i mundur. Lista e re e pritjes për caktimin e një termini në muajin gusht për personat plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19 do të hapet më 1 korrik 2021”, thuhej në njoftimin e para disa ditëve nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Kujtojmë se për shkak të gjendjes ekonomike për çdo vit mijëra të rinj nga Kosova aplikojnë për viza pune për në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së. 

Image