Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit B. Rr.
I akuzuari me datë 15.02.2019, rreth orës 17:30 minuta, në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar – ndihmës referent i ekzekutimeve, me qëllim që vetës t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar dhe marr ryshfet para në shumë prej 20 Euro, nga i dëmtuari A. S., ky i fundit ka qenë i akuzuar për një lëndë penale të rrezikimit të trafikut publik (P.nr. 247/2017).
I akuzuari këto të holla i ka pranuar, në mënyrë që të bisedoj me gjyqtaren e çështjes për ta mbyllur rastin.
Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muajve dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 (pesëqind) Euro.
Gjithashtu është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit në institucionet publike prej një viti.
Gjykata e ka liruar nga akuza për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.