Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi përmes llogarisë së tij në Facebook ka uruar FC Prishtinën për kualifikim në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës, ndërsa ka përgëzuar FC Drita për paraqitjen mahnitëse, përcjell kolonamedia.
Në vazhdim statusi i plotë i të parit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi:
Urime Prishtina për kualifikimin, përgëzime Drita për paraqitjen mahnitëse 👏👏👏
Të dashur miq, sonte dua t’i shpreh urimet më të mira kampionit tonë, FC Prishtina për kualifikimin në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës, që ndonëse më vështirë se sa pritej arriti ta ruajë epërsinë nga ndeshja e parë ndaj kampionit të Uellsit, Connah’s Quay Nomads.
Kalimi në fazën e tretë të kësaj gare është parasegjithash meritë e futbollistëve, por edhe dëshmi e punës së mirë të shtabit teknik dhe drejtuesve të klubit.
Me këtë rast dua t’i uroj të gjithë për këtë sukses, e po ashtu edhe tifozët ‘Plisat’, të cilët pa dyshim iu kanë gëzuar më së shumti këtij suksesi.
Jam i vetëdijshëm se faza tjetër sjellë rivalë edhe më të fortë, por shpresoj që Prishtina do të vazhdojë të tregohet e suksesshme në këtë edicion të garave evropiane.
Në anën tjetër Drita edhe pse nuk e pati fatin të kalojë tutje në këtë garë, na prezantoi me paraqitje mahnitëse kundër gjigantit holandez, Feyenoord.
Loja e treguar në të dyja ndeshjet nga ana e futbollistëve të Dritës ndaj 15 herë kampionëve të Holandës përveç se vërtetoi rritjen e cilësisë së kampionatit tonë, njëherësh e promovoi futbollin tonë në mënyrë të shkëlqyeshme në zemër të Evropës.
Edhe pse në fund Drita u eliminua, pa dyshim se kjo paraqitje do t’i shërbejë si përvojë e mirë për rritje të mëtutjeshme në çdo aspekt.
Ju lumtë për emocionet që na i dhuruat!
Me respekt,
A.A.