Njofton policia: Arrestohen tre persona në rajonin e Vushtrrisë

Sektori i hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, në mbështetje të njësive NJSO, K9 dhe NJRSH, sot mbi dyshimin për kryerjen e veprave penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”,“ Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ka realizuar urdhër kontrollin të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dega në Vushtrri.

“Urdhër kontrolli është realizuar në dy lokacione të ndryshme në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, me ç’ rast janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të personave të dyshuar: K.M., 25 vjeçar, T.G., 37 vjeçar, Rr .G., 30 vjeçar, që të tre shtetas të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e policisë së Kosovës.

“Gjatë kontrollit, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar: Një armë e shkurtë pistoletë me katër fishekë, një shumë e parave, disa telefona mobilë dhe dëshmi të tjera të transaksioneve bankare”, bëhet e ditur tutje në komunikatë.

“Provat e sekuestruara, do të procedohen si dëshmi në rrjedhën e mëtejme hetimore për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” , “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”, vepra këto të ndodhura kohë më parë në zonën e Vushtrrisë”, njofton policia.