Qeveria e Kosovës përmes zëvendësministrit Hysen Durmishi dje bëri të ditur se është zmbrapsur lidhur me vendimin për tiketën ngjitëse në vlerë pesë euro. Në drejtim të Durmishit, pas vendimit, që nga dje ka pasur reagime të shumëta ku kanë kërkuar nga ai të dorëzojë dorëheqjen.
Me të njëjtën qasje Durmishit iu janë drejtuar edhe komentuesit në postimin që ka bërë dje.
Para dy jave, zëvendësministri i Infastrukturës, Hysen Durmishi, kishte vënë firmën në një marrëveshje për tiketën ngjitëse për vetura, e që i siguronte një kompanie të krijuar para tri vitesh e me vetëm tre punëtorë, qarkullim vjetor në vlerë rreth 2 milionë euro.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte lidhur marrëveshje me “Auto Control Kosova”, për ofrimin e tiketës ngjitëse që do të konfirmonte kontrollimin teknik të automjeteve.
Lidhja e kësaj marrëveshje thuhej se do të mundësonte anëtarësimin e Kosovës në sistemin e Kartonit e Gjelbërt, meqë thoshin se do të ndikonte në zvogëlimin e makinave të paregjistruara në vend, shkruan express.
Tiketa do të kushtonte pesë euro dhe ishte paraparë që të fillonte së zbatuari nga shtatori i këtij viti.
Për këtë marrëveshje, Durmishi kishte thënë se e ka gjetur në tavolinë dhe se s’ka pasur rrugë tjetër pos që ta nënshkruaj.
Madje, për të ia kishte gjuajtur fajin ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt.
Por, i njejti dje ka njoftuar se e ka pezulluar marrëveshjen. Ai ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik ka gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën.
“Unë jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë: Raporti i auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinioni i zyrës ligjore të Kryeministrisë i datës 20.01.2020, i harmonizuar me zyrat ligjore të MI, MAP dhe MD. Vendimin përfundimtar do ta marrim pas rishikimit të funksionimit të sistemeve dhe standardeve të kontrolleve të brendshme të ministrisë”, ka shkruar Durmishi dje në Facebook.
Pas pezullimit të marrëveshjes, është deklaruar edhe Ministri Liburn Aliu. Ai tha se vendimi do të shqyrtohet në hollësi.
“Sapo është marrë vendim që të pezullohet si vendim dhe do ta shqyrtojmë në hollësi mënyrën sesi ka ardhë deri te ky vendim…Prej interpretimeve ligjore, edhe interpretimet nga auditori, deri te momenti i nënshkrimit…Diçka që mund t’i sigurojë është që qytetarët nuk do t’i paguajnë 5 euro”, tha Aliu para deputetëve.
Dorëheqjen Durmishit ia kanë kërkuar nga partitë politike e shoqëria civile.
Megjithatë, të njëjtit me këtë kërkesë iu janë drejtuar edhe komentuesit në profilin e tij në Facebook.
“Dorëheqje! Duhet të kishte kujdes paraprakisht”, është një nga komentet që i kanë bërë Durmishit.
Disa komentues e kanë quajtur zëvendësministrin e Qeverisë Kurti “mashtrues”, ndërsa një komentues tjetër ka shkruar “hajnat në burg”.