Pas pezullimit të marrëveshjes për tiketa ngjitëse në automjete, e cila parashihte që qytetarët të paguanin nga 5 euro më shumë për regjistrimin e automjeteve, ka reaguar edhe kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Ai ka thënë se sot është konfirmuar që “kur ke të drejtë, pavarësisht a je ”i vogël” apo i madh, në fund triumfon”.
Tutje, ai ka thënë se Hysen Durmishi dhe gjithë të tjerët të përfshirë në këtë rast duhet të dorëhiqen.
Kujtojmë se para disa ditësh, Molliqaj ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në aksionin e PSD-së kundër marrëveshjes për tiketa ngjitëse.
Postimi i plotë:
Marrëveshja u pezullua, zhvatja u konfirmua
U konfirmua që ne dhe të gjithë ata që e kundërshtuam këtë marrëveshje kishim të drejtë.
U konfirmua që dhuna e përdorur ndaj nesh nuk ishte e rastësishme por e qëllimshme. Sepse pushtetit të Kurtit i dhemb shumë kur e sulmon aty ku duhet, kur ia zbulon zhvatjen e buxhetit.
U konfirmua që kur ke të drejtë, pavarësisht a je ”i vogël” apo i madh, në fund triumfon.
Nënshkruesi i kësaj marrëveshjeje zhvatëse, zv. ministri Hysen Durmishi dhe gjithë të tjerët të përfshirë në këtë marrëveshje duhet të dorëhiqen menjëherë.
Pavarësisht pezullimit të marrëveshjes, kallëzimi penal i PSD-së duhet të shqyrtohet me prioritet, dhe nënshkruesi i saj të marr dënimin konform ligjeve të vendit.
Faleminderit shumë të gjithëve për mbështetjen në rezistencën tonë kundër kësaj marrëveshjeje. Kjo është vetëm fitorja e parë kundër këtij pushteti populist.