Haxhiu: Qeveria ka dështuar në sigurimin e vaksinave

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu akuzon Qeverinë për dështim në sigurimin e vaksinave si dhe administrimin e procesit të vaksinimit.

Në debatin e organizuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare, me mbështetjen e NDI-së, me temën “Pandemia COVID-19: Procesi i vaksinimit në Kosovë”, që organizohet në kuadër të aktivitetit “Ditët e Kuvendit”, Haxhiu tha se Kosova është vendi i fundit në Evropë që ka siguruar një kontratë për furnizim të vaksinave.

“Dështim në sigurim të vaksinave dhe në administrim të procesit të vaksinim…Kontrata për furnizim me vaksina po vazhdon të mbahet sekrete”, deklaroi ai.

Haxhiu thekson se donacioni i vaksinave nga Norvegjia është në kundërshtim me Ligjin për pajisje dhe produkte medicinale.

Sipas tij, ai ligj saktëson nëse një produkt importohet në Kosovë dhe ka afatin e skadimit më pak se një vit atëherë në momentin e importit duhet të ketë 2/3 të kohës së skadimit.

Po ashtu, Haxhiu tha se ka mospërputhje të të dhënave për vaksinimin ditor, të dozave të para dhe të dyta, si dhe numrit total.

Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se është e sigurt që deri në fund të vitit do të vaksinohen 60 për qind e qytetarëve të Kosovës.