Kollçaku e bindur se do të vaksinohen 60 për qind e qytetarëve: Përgjigja më e mirë ndaj çdo varianti është vaksinimi

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se është e sigurt që deri në fund të vitit do të vaksinohen 60 për qind e qytetarëve të Kosovës.

Këtë deklaratë, Mulhaxha-Kollçaku e bëri në debatin e organizuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare, me mbështetjen e NDI-së, me temën “Pandemia COVID-19: Procesi i vaksinimit në Kosovë”, që organizohet në kuadër të aktivitetit “Ditët e Kuvendit”.

“Ajo çfarë është e sigurt është që synimi që është përcaktuar nga Qeveria e Kosovës që 60 për qind e popullatës të vaksinohet deri në fund të vitit, do të realizohet”, tha Mulhaxha-Kollçaku.

Ajo theksoi se edhe ekipet e vaksinimit tashmë janë shumë të konsoliduara, ndërsa përmendi faktin që vaksinimi nuk është i detyrueshëm, por duhet të punohet shumë në edukimin e qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit.

“Duhet të punojmë shumë në edukimin e qytetarëve, ku mediat luajnë rol të rëndësishëm për rëndësinë e vaksinimit dhe t’i ftojmë qytetarët të vaksinohen”, u shpreh Mulhaxha-Kollçaku.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi lavdëroi Kosovën sa i përket menaxhimit me pandeminë, duke thënë se është ndër vendet që e kanë menaxhuar me sukses COVID-19.

“Me përgjegjësi të plotë them se aktualisht kemi një situatë të qetë, por duhet të jemi në gatishmëri që t’i përgjigjemi çfarëdo situate me ndonjë variant tjetër, e përgjigja më e mirë ndaj çdo varianti është vaksinimi”, tha ajo.