Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se qeverisja e Vetëvendosjes si në pushtetin qendror si atë lokal është anemike dhe patetike.
I pari i PDK-së, kritikoi kryeministrin Albin Kurti për vizitën e tij në Greqi, duke thënë se është e papranueshme që po qëndron larg vendit kur komuna e Deçanit po përballet me një situatë emergjente, pasi qytetarët e kësaj komune janë helmuar nga shkaqe ende të panjohura.
“Katër vite kanë qenë vite të humbura. Në aspektin ekonomik është shumë mbrapa në krahasim me qytetet e tjera. Kjo dëshmon një anemi të komunës që nuk i ka ndihmuar qytetarët. Kjo do të ndryshoj me ardhjen e Shaqir Totaj. Ky është modeli i VV-së, është qeverisje anemike, patetike, dhe është e turpshme për Prizrenin. Sot e kemi një kryeministër që po bën pushime në Greqi, dhe nuk vjen t’i shoh qytetarët në Deçan. VV-ja ka një model që më shumë merret më një mentalitet opozitar, por për Prizrenin kanë qenë të mjaftueshme me pa që nuk bën kjo qeverisje”, tha ai.
Kandidati për kryetar të Prizrenit nga PDK-ja, Shaqir Totaj, tha se gjendja e kësaj komune është e degraduar, raporton EO.
“Dua të përkujtoj që është një qytet shpirtëror, por që kohëve të fundit ka pasur një degradim”.