Qeveria e Kosovës ka marrë vendim sot që të ndajë 150 mijë euro për Deçanin, pas situatës së krijuar së fundmi atje e ku mbi 1500 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e helmimit.
Ky vendim është marrë me propozimin e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, për trajtimin dhe rregullimin e ujësjellësit për fshatrat në komunën e Deçanit.
Poashtu Ministria e Shëndetësisë ka dërguar staf shtesë dhe barna shtesë në këtë qytet.
Që nga e shtuna, mbi 1500 qytetarë në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e këtij qyteti si pasojë e helmimit.
Fillimisht u dyshua se ata ishin helmuar nga uji.
Por kjo u hodh poshtë nga IKSHPK, pas publikimit të rezultateve të analizave e që thonin se uji nuk ishte i kontaminuar.
Në ndërkohë ende nuk dihet shkaku që shkaktoi helmimin në Deçan.