Katër milionë vdekje u shënuan në mbarë botën nga Covid 19, një moment tragjik ky sipas shefit të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili tha se globi gjendet në një pikë të rrezikshme të kësaj pandemie.
Duke e pranuar se numri real i viktimave mund të jetë edhe më i lartë se kaq, Ghebreyesus përmendi faktin se disa vende, për shkak të një shkalle të lartë të imunizimit, po i heqin kufizimet sikur pandemia të kishte mbaruar. Por rreziku nuk është larguar ende.
Kreu i OBSH-së, tërhoqi vëmendjen tek fakti që kudo po regjistrohet rritje e mprehtë e rasteve dhe shtrimeve në spital, për shkak të varianteve të reja të koronavirusit që po përhapen me shpejtësi, por edhe për shkak të një “pabarazie në qasjen në vaksina kundër COVID-19”.
“Variantet e COVID-it po fitojnë garën ndaj vaksinave për shkak të prodhimit dhe shpërndarjes së pabarabartë të tyre. Shumë vende po vazhdojnë ende përpjekjet për të siguruar furnizime të mjaftueshme me vaksina për të imunizuar popullatën e tyre. Nacionalizmi i vaksinave, ku një numër i vogël vendesh kanë marrë pjesën e luanit, është moralisht i papërligjshëm dhe një strategji e paefektshme e shëndetit publik kundër një virusi që pëson mutacioneve të shpeshta dhe bëhet gjithnjë e më efektiv në transmetim nga një person tek tjetri”.
Ghebreysus shtoi se nga “ pikëpamja morale, por edhe epidemiologjike ose ekonomike, tani është koha që bota të bashkohet për të trajtuar këtë pandemi”.