Albert Zogaj merr zyrtarisht detyrën e Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Në një ceremoni të organizuar në ambientet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, Kryesuesi i deritanishëm i KGjK-së, ka dorëzuar detyrën e Kryesuesit të KGjK-së, tek Kryesuesi i zgjedhur Albert Zogaj.

Gjatë kësaj ceremonie, Skender Çoçaj i uroi Albert Zogajt mirëseardhje në krye të kësaj detyre duke i uruar suksese në punë e tij.

“ Çoçaj theksoi se ka qenë i privilegjuar të jetë në krye të sistemit gjyqësor për këto vite dhe me këtë rast falënderoi të gjithë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar gjatë udhëheqjes së tij, si institucionet vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Nga ana tjetër, kryesuesi i ri i KGjK-së, Albert Zogaj, ka falënderuar kryesuesin e deritashëm për kontributin e tij për zhvillimin e sistemit gjyqësor gjatë këtij mandati, duke thënë se do të avancojë edhe më tej misionin e Këshillit dhe do të jetë në shërbim të plotë të fuqizimit dhe zbatimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në njoftimin për media.

“Zotohem se do të përcjell me angazhim maksimal të gjitha iniciativat që janë në zhvillim e sipër si dhe iniciativat tjera të cilat janë në dobi të sistemit gjyqësor”, tha Zogaj.

Në takimin e 259-të me radhë të Këshillit, janë certifikuar rezultatet zgjedhore për zgjedhjen e anëtarëve të KGjK-së nga Gjyqësori. Po ashtu, anëtarët e Këshillit aprovuan përgjigjen e Këshillit Gjyqësor në draft konceptin e Ministrisë së Drejtësisë për çështjen e Vetingut.