Çitaku i çon vërejtje serioze qeverisë Kurti: Marrëveshja e Uashingtonit nuk është lojë fëmijësh

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratave të zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se marrëveshja e Uashingtonit nuk është e obligueshme dhe në këtë formë ajo nuk ka vend në qeveri.

Ajo me anë të një postimi në Facebook ka thënë se Marrëveshja e Uashingtonit dhe zotimet e dalura nga aty nuk janë hajgare e lojë fëmijësh.

“Me aleatët, e posaçërisht me SHBA-të, një qeveri serioze nuk komunikon përmes deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale. Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike”, ka shkruar ajo.

Ajo ka nënvizuar gjithashtu faktin se administrata e Biden ka bërë të qartë se qëndron prapa marrëveshjes së 4 shtatorit.

Postimi i plotë:

Për të satën herë: Marrëveshja e Washingtonit, apo zotimet e Washingtonit, apo si të doni quani, nuk janë hajgare e lojë fëmijësh.

Me aleatët, e posaçërisht me SHBA-të, një qeveri serioze nuk komunikon përmes deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale. Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike.

Para pak ditësh ishte në Kosovë i deleguari i Departmentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Jam e bindur se në takimet të cilat janë zhvilluar ka pasur mundësi që të trajtohen këto shqetësime.

Pastaj, se Administrata e Presidentit Biden qëndron fuqishëm pas marrëveshjes së 4 Shtatorit e ka bërë të ditur publikisht Sekretari i Shtetit Blinken.