Gjuajtje me armë në Prishtinë, plagoset një person

Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e gjuajtjes me armë ditën e sotme në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur rreth orës 12:00, ndërsa rrethanat janë ende duke u hetuar.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë për lajmi.net se për rastin janë informuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në rrugën “Bajram Bahtiri”, ku i plagosuri është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore.

“Sot rreth orës 12:00, policia ka marrë informacionin se në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, një person i plagosur nga arma e zjarrit ka kërkuar tretman mjekësor. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore për hetimin e krimeve tilla si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare është ngritur versioni i hetimit se në rrugën “27 nëntori” në Prishtinë, personi është plagosur me armë zjarri, nën rrethana që aktualisht janë duke u hetuar”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Përderisa personi i lënduar po merr mjekimin e nevojshëm në QKUK, hetuesit policor kanë nisur punën për zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e personave të përfshirë në rast.