Hoxhaj e konfirmon: Kemi mbledhur nënshkrimet, do ta çojmë Osmanin në Kushtetuese

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka njoftuar  se opozita i ka mbledhur nënshkrimet për dërgimin e vendimit të presidentes për shkarkimin e Valdete Dakës, në Gjykatën Kushtetuese.

Ai  ka falënderuar opozitën për bashkëpunim lidhur me këtë çështje.

“Vendimi i presidentes së Kosovës, urdhëruar nga Albin Kurti për të shkarkuar kryetaren e KQZ-së, është antikushtetues, dëmton institucionet demokratike, rrezikon zgjedhjet lokale dhe është fund e krye politik. Për të mbrojtur rendin kushtetues, institucionet demokratike e profesionale, si dhe të parandalojmë secilin akt të tillë në të ardhmen, Partia Demokratike e sheh të domosdoshëm dhe të pashmangshëm opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çka i kemi mbledhur edhe nënshkrimet. Faleminderit të gjithë deputetëve të opozitës për bashkëpunimin në këtë çështje”, ka shkruar ai.